SHBA, gara “personale” Trump-Cruz arrin kulmin

25/03/2016 21:50

Përplasja mes kandidatëve republikanë për president në Shtetet e Bashkuara, Ted Cruz dhe Donald Trump po kthehet me ritme të shpejta në një përplasje personale, me Cruz që e ka cilësuar miliarderin një “kandidat të dobët” që përhap lajme të rreme.

Cruz u tha gazetarëve se dora e Trump ishte prapa një historie të publikuar në “National Enquirer”, ku senatori i Teksasit përflitej për një lidhje jashtëmartesore.

Cruz e cilësoi historinë “një mbeturinë të mbushur me gënjeshtra”. “Është një artikull i njollosur që është bërë nga Donald Trump dhe njerëzit e tij”, tha kandidati.

Si provë për këtë hipotezë, ai tha se, i vetmi burim që citohej me emër në këtë artikull ishte ish-këshilltari i fushatës së Trump. Ai vuri gjithashtu në dukje se, manjati i ndërtimeve dhe drejtori ekzekutiv i “National Enquirer”, David Pecker, janë miq të ngushtë.

I pyetur nëse do të vazhdojë ta mbështesë zotin Trump nëse e fiton garën republikane, Cruz nuk dha një përgjigje direkte. Por senatori i Teksasit tha: “Nuk e kam zakon të mbështes njerëz që sulmojnë familjen dhe bashkëshorten time”.

Ndërkohë, nuk ka munguar reagimi i Trump, që në një deklaratë ka thënë: “Nuk kam asnjë lidhje me atë artikull”.

Ditën e martë, kandidatët, të cilët më herët gjatë fushatës kanë patur tone të moderuara, filluan të shkëmbenin fyerje në Twitter.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel