Kerry viziton Brukselin: Të frenojmë dorën e Shtetit Islamik

25/03/2016 00:00

Jean-Claude Juncker ishte zyrtari i parë i lartë, me të cilin u takua Sekretari amerikan i Shtetit pas mbërritjes në Bruksel mëngjesin e kësaj të premteje, me ofertën për ndihmë e me dëshirën për t’i treguar solidaritet kryeqendrës së Europës së goditur nga terrori.

Kerry pohoi se, në mesin e viktimave janë edhe dy qytetarë amerikanë. “Shtetet e Bashkuara luten dhe vajtojnë me ju, për jetët e larguara aq mizorisht prej nesh, përfshirë ato amerikane, si dhe për shumë të plagosurit nga këto akte të urryera”, tha kryediplomati amerikan që, pas Presidentit të Komisionit Europian u takua dhe me kryeministrin belg, Charles Michel.

“ISIS-i nuk ka asnjë mbështetje nga asnjë qeveri”, deklaroi Kerry gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kreun e ekzekutivit belg. “Sulmet, – shtoi ai, – nxjerrin edhe më shumë në pah nevojën për t’ia frenuar dorën Shtetit Islamik”.

“Përballë kësaj tragjedie, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të palëkundura në krah të Belgjikës dhe kombeve të tjera europiane. Ne do të vazhdojmë të garantojmë të gjithë asistencën e nevojshme për hetimin e këtyre akteve të urryera terroriste, e për t’i nxjerrë personat përgjegjës para drejtësisë”, tha Kerry.

Vendin kryesor në axhendën e Sekretarit të Shtetit, të mbërritur në Bruksel pas një ndalese në Moskë, e zunë bisedimet e lidhura me antiterrorizmin, në kohën kur zyrtarët e Qeverisë belge përballen me një dallgë kritikash për një zinxhir dështimesh të sigurisë dhe të inteligjencës.

Ndërsa solidarizimin e forcoi edhe njëherë me shprehjen “Je suis Bruxellois”, (Unë jam qytetar i Brukselit), Kerry përcolli një mesazh të fortë e të qartë për të gjithë ata që frymëzohen nga sulme si këto të fundit, ato të Parisit, Ankarasë, Tunizisë apo San Bernardinos.

“Ne nuk frikësohemi, ne nuk do të zbrapsemi. Ne do të përgjigjemi me fuqi dhe vullnet të shtuar, derisa t’i fshijmë nga faqja e dheut burracakërinë dhe bindjet tuaja nihiliste”.

Top Channel