Besimtarët ndjekin rrugën e udhëtimit të fundit të Krishtit

25/03/2016 00:00

Me mijëra të krishterë u vunë në gjurmët e Jezusit përgjatë “Via Dolorosa”-s së Jeruzalemit, në atë që konsiderohet si një nga përvojat më të rëndësishme e domethënëse të përjetuara në qytetin e tri feve më të mëdha të botës: Islamit, Judaizmit dhe Krishtërimit.

Pelegrinë nga i gjithë globi përshkuan rrugën e vuajtjeve, siç njihet ndryshe rruga ku Jezu Krishti, i gjykuar, dënuar e rrahur, eci drejt vdekjes së tij në kryq. Disa prej besimtarëve mbajnë kryqe të mëdha druri në kurriz, e me to qëndrojnë në të 14 ndalesat, që përfaqësojnë secila një moment të veçantë të rrugëtimit të fundit të Krishtit.

Udhëtimi përfundon në Kishën e Varrit të Shenjtë, vendi ku pretendohet se Jezusi u kryqëzua e u varros për t’u ringjallur të dielën e Pashkëve. Sipas Biblës, me ringjalljen e tij ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur Jezusi vdes pas gozhdimit në kryq, tek e diela e Pashkëve.

Pashkët përbëjnë kremtimin më të madh të kalendarit liturgjik, por ato katolike nuk përkojnë me ortodokset. Kisha Ortodokse ndjek “Kalendarin Julian”, ndërsa Kisha Katolike atë “Gregorian”. Besimtarët ortodoksë, Pashkët sivjet i festojnë në datën 1 maj.

Top Channel