Atentatet në Belgjikë, valë arrestimesh në disa vende të BE-së

25/03/2016 00:30

Plot 10 persona janë arrestuar në tri vende europiane, pas sulmeve që morën 31 jetë njerëzish në Bruksel. Prej tyre, 7 vetë u prangosën në lagjen “Schaerbeek” të kryeqytetit belg.

Nuk ka ende asnjë fjalë mbi identitetin e të dyshuarve, apo lidhjet e tyre të mundshme me shpërthimet. Dy vetë u ndaluan në Gjermani dhe një person, që me shumë gjasë ishte duke planifikuar një atentat, u arrestua nga policia franceze në afërsi të Parisit.

Arrestimet në “Schaerbeek” erdhën mbrëmjen e së enjtes, pas kontrolleve shtëpi më shtëpi në mbarë zonën. Të paktën dy shpërthime janë dëgjuar në këtë lagje, ku operacioni policor vazhdon.

Mbrëmjen e djeshme, forcat franceze të rendit rrethuan “Argenteuil”-in në veriperëndim të Parisit, një operacion ky që erdhi vetëm disa orë pas ndalimit të të dyshuarit si militant, Reda Kriket, 34 vjeç, i cili duket të jetë me origjinë franceze.

Komploti i tij, nga sa shpjegoi ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve, ka qenë në një fazë të avancuar, por deri më tani asnjë lidhje nuk është bërë mes këtij incidenti dhe sulmeve të Brukselit, apo atyre të nëntorit të kaluar në kryeqytetin francez.

Belgjika, të enjten më në fund i pranoi gabimet e bëra me njërin prej sulmuesve të Brukselit. Turqia e pati arrestuar dhe deportuar Brahim el-Bakrauouin në muajin qershor, duke i paralajmëruar belgët se ai ishte një “luftëtar i huaj”. Sipas Ankarasë, për këtë individ u ishte tërhequr vëmendja edhe autoriteteve holandeze.

Pas “mea culpa”-s, si ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, ashtu dhe ai i Drejtësisë, Koen Geens, ofruan dorëheqjet e tyre, të cilat kryeministri Charles Michel duket se i ka refuzuar. Vëllai i Brahimit, Khalid, ishte personi që hodhi veten në erë në metronë e  Maelbeekut, ku ndërruan jetë 20 persona.

Top Channel