Sulmet në Bruksel, dy ministra belgë ofrojnë dorëheqjen

24/03/2016 00:00

Ministri belg i Drejtësisë, Koen Geens, dhe ai i Brendshëm, Jan Jambon, ofruan dorëheqjen në valën e kritikave se nuk munden të parandalonin dot sulmet terroriste të Brukselit.

Provat se autoritetet belge ishin paralajmëruar prej muajsh nga Turqia për një skenar të tillë, ishin edhe arsyeja kryesore përse ministrat kërkuan të tërhiqeshin.

Ankaraja ka akuzuar Brukselin se e ka nënvlerësuar faktin se Ibrahim El Bakrei ishte identifikuar për lidhjet e tij me terroristët në Siri dhe Irak. Por, kryeministri Charles Michel, nuk e pranoi këtë kërkesë.

Paralelisht policia belge vijon operacionin në kërkim të terroristit të tretë Naxhim Lakrei, dhe po heton nëse është një person i pestë i përfshirë në shpërthimin e metrosë, pasi të dhënat e fundit flasin për implikimin e një tjetër të dyshuari në shpërthimin e metrosë.
 
Për prokurorinë thuajse të gjithë sulmuesit e Brukselit kanë lidhje me Salah Abdeslam, organizatorin e sulmeve të Parisit, i cili u arrestua nga policia belge një javë më parë.

Kjo dëshmon për autoritetet se një nga celulat terroriste të Europës kishte ngritur fortesën e saj në Belgjikë.
 
Ndërkohë dhjetëra persona janë ende në kujdes intensiv pas sulmeve vetëvrasëse të së martës në Bruksel që i morën jetën 31 personave. Sipas ministres belge të Shëndetësisë, nga rreth 300 të plagosurit, 61 janë ende në gjendje kritike ndaj bilanci i viktimave mund të rritet.

Top Channel