ISIS ka stërvitur 400 luftëtarë për të sulmuar Europën

24/03/2016 00:00

ISIS ka stërvitur të paktën 400 luftëtarë, detyra e të cilëve është që të organizojnë sulme vdekjeprurëse në Europë. “Associated Press” raportoi se këta luftëtarë janë të organizuar në celula dhe se janë urdhëruar që të zgjedhin vet kohën, vendin dhe mënyrën se si do të sulmojnë.

Rrjeti i ekstremistëve në Europë sa vjen e rritet, pavarësisht faktit se Shteti Islamik është duke humbur terren në Siri dhe Irak, ndërsa këta luftëtarë kanë për detyrë që ta zgjerojnë këtë rrjet me anëtarë të rinj.

Mendohet se këta luftëtarë janë stërvitur në disa kampe në Siri dhe Irak, por ka dyshime të forta se kampe të tilla gjenden edhe në disa vende ish-sovjetike. Sipas raportimeve, mbi 5 mijë europianë kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak.

“AP” shkruan se këta luftëtarë janë të organizuar në grupe të vogla dhe mund të veprojnë edhe si të pavarur, duke shmangur komunikimin me bazën e ISIS në Siri, ashtu siç ndodhi me sulmet e Parisit apo të Brukselit. Qëllimi i tyre është që të shkaktojnë kaos në Perëndim.

Këta luftëtarë janë kudo, të shpërndarë në të gjithë Europën, dhe janë të trajnuar për të kryer sulme me bomba. Disa zyrtarë të inteligjencës franceze kanë thënë se këtë lloj organizmi kishte edhe Al-Qaeda, por ISIS e ka perfeksionuar.

Top Channel