Trump vs Cruz, beteja zhvendoset tek gratë

23/03/2016 00:00

Sa më shumë afrohet nëntori, aq më e ashpër bëhet gara mes republikanëve për kandidatin e Shtëpisë së Bardhë.

Donald Trump është favoriti i padiskutueshëm deri më tani, që ndiqet nga Ted Cruz. Mes të dyve ka një luftë të pashembullt mediatike, aq e ashpër sa së fundmi janë përfshirë edhe gratë.

Në një spot mbështetës të Ted Cruz shfaqet bashkëshortja e Donald Trump, Melania krejtësisht nudo. Fotoja është shkrepur nga zonja Trump për revistën GQ kohë më parë.

“Njihuni me Melanie, zonja e parë e ardhshme e Shteteve të Bashkuara…ose mund të mbështesni Ted Cruz”, thuhet në diçiturën e fotos.

Reagimi i Trump ka qenë i menjëhershëm dhe këtë e ka bërë përmes Twitter-it, aty ku është shumë aktiv.

“Gënjeshtari Ted po përdor një foto të Melanisë të shkrepur për revistën GQ. Kujdes, gënjeshtari Ted, ose do të nxjerr të palarat e bashkëshortes tënde”, thotë Trump.

Vetë rivali i tij brenda republikanëve ka mohuar po përmes rrjeteve sociale se ka lidhje me spotin në fjalë.

“Fotoja e bashkëshortes tënde nuk ka dalë prej nesh. Donald, nëse përpiqesh të sulmosh Heidin (gruaja e Ted), atëherë je më frikacak nga sa mendoja unë”, shkruan Ted Cruz.

Nuk dihet se çfarë ka pasur ndërmend Donald Trump kur flet për “të palarat” e bashkëshortes së Ted Cruz, por ajo që dihet është se një dekadë më parë, Heidi ka kaluar një periudhë të vështirë të jetës së saj, kur vuante nga depresioni pas një aksidenti rrugor.

FOTO GALERI
2/3
Ted Cruz dhe bashkeshortja e tij

Top Channel