Trump: Myslimanët kanë dështuar të raportojnë të dyshimtët

23/03/2016 00:00

Në mesin e tensioneve e frikës që mbollën sulmet e një dite më parë në Bruksel, Donald Trump kërkon fajtorë të tjerë përpos atyre të identifikuar tashmë.

Kryesuesi i garës për nominim në kampin republikan fshikulloi myslimanët për faktin se kanë dështuar – siç tha, – të raportojnë aktivitetet e dyshimta brenda vet komuniteteve të tyre, e këmbënguli se duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar në parandalimin e ngjarjeve si këto të Belgjikës.

“Kur sheh një problem, ti duhet ta raportosh dhe ata nuk raportojnë. Ata nuk raportojnë absolutisht asgjë, e ky është një ngërç i madh. Abdeslami fshihej në lagjen ku ishte rritur e askush nuk e kallëzoi në polici. Kjo që ndodhi supozohet të jetë shpagim për arrestimin e tij, e ky është një turp”, tha Trump.

Komenteve të bëra për “Daily Mail”, Trump, i cili kërkon t’ua ndalojë myslimanëve hyrjen në Europë, i shtoi dhe zotimin se ai vet do ta godiste ISIS-in aq fort, sa s’e beson dot njeri.

Por një drejtues i policisë londineze, Neil Basu i kundërshtoi thëniet e miliarderit amerikan, me argumentin se është e gabuar t’u veshësh myslimanëve një faj të tillë e të demonizosh në këtë mënyrë një sektor të tërë të shoqërisë.

Top Channel