SHBA, Trump e Clinton vazhdojnë marshimin. Marrin Arizonën

23/03/2016 00:00

Pretendentët për t’u përballur me njëri-tjetrin në Presidencialet amerikane të nëntorit, Hillary Clinton nga demokratët dhe Donald Trump nga republikanët, korrën sukseset e radhës duke rrëmbyes edhe votat e Arizonës.

Çështja e emigracionit u shqua shumë në shtetin jugperëndimor, që konsiderohej si më i rëndësishmi i raundit të fundit të votimeve në të ashtuquajturat paraprake. Sondazhet treguan se mesazhi antiemigracion i Trumpit ndikoi ndjeshëm në votuesit konservator të këtij shteti. Në Utah, në garën e republikanëve u shpall fitues senatori i Teksasit, Ted Cruz.

Ndërkohë, me rritjen e popullsisë latine në Arizona, edhe kandidatja Clinton siguroi suksesin e saj, kryesisht duke joshur votuesit e pakicave. Në kundërpërgjigje të saj, demokrati Bernie Sanders fitoi bindshëm në dy shtete më të vogla, Idaho dhe Utah, duke i mbajtur ende gjallë shpresat e pakta.

Gjatë fjalimit të saj në Seattle pas fitores, Clinton adresoi ndër të tjera edhe sulmet terroriste në Bruksel gjatë së martës, duke dalë përsëri kundër reagimeve të kandidatëve republikanë ndaj shpërthimeve.

Më herët gjatë së martës, Trump ripërsëriti planin e tij për të ndaluar myslimanët të udhëtojnë në SHBA dhe sugjeroi faktin që, Amerika duhet t’i torturojë të dyshuarit për terrorizëm.

“Ne jetojmë në një botë komplekse dhe të rrezikshme – tha Clinton. – Ndaj dhe kemi nevojë për një kryekomandant të zotë dhe me instikte udhëheqësi, të fortë, të zgjuar dhe mbi të gjitha të qëndrueshëm në përballimin e këtyre kërcënimeve. Gjëja e fundit për të cilën do të kishim nevojë janë pikërisht udhëheqësit që nxisin edhe më shumë frikë”, tha ajo, duke aluduar kështu për Trumpin.

Primaret republikane në Arizona ishin “të gjitha ose asgjë”, ndaj dhe Trump siguroi të 58 delegatët e këtij shteti. Fitorja e manjatit të pasurive të paluajtshme komplikon përpjekjet e Cruzit dhe guvernatorit të Ohios, John Kasich, për ta frenuar atë nga sigurimi i shumicës së delegatëve. Nëse Trump nuk e siguron kuotën e nevojshme, partia do të zhvillonte një Konventë të ndërmjetësuar apo të kontestuar, ku nominimin do ta bënin krerët më të vjetër të republikanëve dhe jo votuesit. Megjithatë, ky skenar duket se ka pak gjasa të ndodhë, pasi Trump vijon të fitojë shtetet me radhë.

Top Channel