Obama në Argjentinë: Luftë deri në fund Shtetit Islamik

23/03/2016 00:00

Në vijim të turit të tij në Amerikën Latine, presidenti Barack Obama ka ritheksuar angazhimin e administratës amerikane për të luftuar ISIS.

“Shtetet e Bashkuara duan dhe mund ta mposhtin Shtetin Islamik. Për Amerikën ky është një ‘top-priority’”, ka deklaruar Obama në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin argjentinas në Buenos Aires.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka nënvizuar se një element kyç në këtë drejtim është bllokimi i financimeve të terrorizmit. “Do ta përndjekim Shtetin Islamik me agresivitet derisa të zhduket nga Siria dhe Iraku”, ka thënë Obama.

Sa i takon atentateve në Bruksel, presidenti ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë gjithë asistencën e nevojshme në hetime.

Pak para konferencës, Obama ishte pritur në një takim nga presidenti argjentinas, Mauricio Macri në Casa Rosada, siç njihet ndryshe selia presidenciale argjentinase.

Obama dhe familja e tij mbërritën në Buenos Aires natën mes së martës dhe së mërkurës dhe e kaluan natën në selinë e ambasadorit amerikan.

Më vonë, presidenti përshkoi qytetin, i paralizuar nga masat e sigurisë, i shoqëruar nga një karvan automjetesh dhe agjentësh të sigurisë.

Top Channel