Obama: Bombardimet ndaj ISIS nuk do të ndalen

23/03/2016 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, ishte i pari lider i cili u zotua se do të ndjekë këmba-këmbës terrorizmin në Irak dhe Siri. “Ne do të vazhdojmë bombardimet e ISIS së bashku me 60 shtetet e koalicionit”, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa më herët, kancelarja Angela Merkel deklaroi se bashkëpunimi i Gjermanisë me Brukselin është i madh për të gjetur dhe ndëshkuar autorët e sulmeve kamikaze. Merkel shtoi se kabineti gjerman do të mblidhet ditën e mërkurë për të hartuar një plan konkret.

Një takim të ngjashëm ka planifikuar edhe shefi i Londrës, David Cameron, me kabinetin e tij. E ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, e cila ishte ndër të parat që reagoi pas zhvillimeve dramatike në Bruksel, duket se e përjetoi shumë pasi shpërtheu edhe në lot.

Papa Françesku dërgoi lutjet e tij për Brukselin dhe dënoi dhunën që po shkakton kaq shumë vuajtje në botë. E ndërsa kryeministri italian, Mateo Renzi, e shfrytëzoi këtë moment për të bërë thirrje se Bashkimi Europian ka nevojë për të zhvilluar një strategji të përbashkët për mbrojtjen dhe sigurinë.

Në ngjarjen e rëndë nuk mund të mungonte as komenti i favoritit republikan, Donald Trump, i cili deklaroi se Brukseli është transformuar nga një qytet magjik në një kamp të armatosur, dhe se një sulm të tillë vetë ai e kishte parashikuar. Manjati amerikan i pasurive tha se ky duket të jetë vetëm fillimi.

“Je suis Bruxelles”, tha edhe Kulla Eiffel e Parisit e cila u mbështoll nga ngjyrat e flamurit belg. Monumentet europiane, si porta e Brandenburgut në Berlin apo Gjykata në Lion janë ndriçuar nga e kuqja, e verdha dhe e zeza në shenjë solidariteti me ngjarjet në Bruksel.

Pavarësisht thirrjeve për sa më pak lëvizje, nuk kanë munguar as grupet e njerëzve të cilët kanë ndezur qirinj për viktimat dhe kanë vendosur lule në qendër të Brukselit. Nderime të tilla janë bërë në shumë qytete europiane.

Top Channel