Në kërkim superterroristi, kamikazi që nuk u hodh në erë vazhdon arratinë

23/03/2016 00:00

Ndjekja për terroristin e vetëm të mbijetuar nga sulmet e Brukselit vazhdon. Për autoritetet vështiresia është e madhe, pasi idenditeti i tij ende nuk është i sigurtë.

Kapelja që thuajse i mbulon fytyrën në të vetmen foto që kanë arritur të kapin kamerat e sigurisë, si edhe mungesa e shenjave të gishtërinjve e kanë bërë thuajse të padëshifrueshëm idenditetin e terroristit. Por mediat belge pretendojnë se emri i tij është Najim Laachraoui.

Ndërsa dy prej autorëve të sulmeve që lanë 31 të vrarë dhe 270 të plagosur ishin vëllezër. Khalid dhe Brahim el-Bakraoui, njëri autor i sulmit në aeroport, tjetri i atij në metro, nuk ishin emra të panjohur për policinë.

Në bastisjen policore në apartamentin e zones Scharbeek, ku mendohet se ishin strehuar terroristët, hetuesia gjeti edhe letrën e Brahimit i cili shkruante: “E di që jam i dyshuar dhe që policia po më kërkon. Por unë nuk dua të përfundoj në qeli”.

Në lagjen Scharbeek po ashtu policia gjeti 15 kg eksploziv, produkte kimike dhe flamuj të ISIS. Disa persona po merren në pyetje nga hetuesia, ndërkohë që autoritetet kanë nisur zbardhjen e idenditetit të viktimave.

Top Channel