Jehona e terrorizmit, në Francë shtohet siguria. Opozita kërkon ndalimin e xhihadistëve

23/03/2016 00:00

Jehona e sulmeve të Brukselit, më fort se kudo tjetër në Europë është ndierë ndoshta në Francë, ku ende janë të freskëta kujtimet e masakrës së 13 nëntorit.

Shtim i pranisë policore, forcim i kontrolleve, mbyllje kufijsh… Këto janë masat që merren rëndom tani pas episodeve të tilla të dhunshme, por ngjarjet e së martës i dhanë sërish zë pretendimeve të opozitës franceze, për një qasje tjetër ndaj kërcënimit terrorist.

Si fillim – sipas saj, – duhet favorizuar një formë ndalimi e individëve të kthyer nga Siria. Numri i xhihadistëve që vijnë mbrapsht nga Siria e Iraku është gjithmonë e më i madh, kujtojnë opozitarët francezë, të cilët hedhin idenë e krijimit të disa qendrave të posaçme paraburgimi për ta.

Mbyllja e kufijve ishte, që përpara atentateve të Brukselit, lajtmotivi i preferuar i Frontit Nacional. “Është e rëndësishme të kalohet menjëherë në këtë procedurë dhe të bëhet mbyllja reale e jo fiktive e kufijve, siç e kemi parë të ndodhë këto javët e fundit”, deklaroi Marine Le Pen.

Republikani Eric Ciotti i mëshon më shumë idesë së forcimit të kontrolleve në kufijtë e jashtëm të bllokut. “Përderisa terroristët mund të hyjnë në Europë përmes fluksit të emigrantëve, – kujtoi ai, – duhen forcuar medoemos kontrollet në pikat ku ata mund të kalojnë”.

Ndër propozimet e tjera renditet ristrukturimi i shërbimit policor të vendit dhe mbyllja e të gjitha vendeve të predikimit radikal. Si të tilla janë identifikuar 25 salla lutjesh ne Ile-de-France, 22 në zonën e Lionit dhe 13 në Marsejë, të gjitha këto të rëna – sipas të djathtës franceze, – në duart e predikuesve salafistë dhe ekstremistëve.

Top Channel