Bruksel, identifikohen vëllezërit kamikazë. I treti, ende në arrati

23/03/2016 00:00

Nxitimi i mediave belge për të përcjellë lajmin e arrestimit të “njeriut-kapele”, siç e përshkruajnë personin e shfaqur në krah të të dyshuarve si kamikazë në Aeroportin e Zaventemit, u frenua shumë shpejt nga autoritetet, që pohuan se ka pasur vërtet një ndalim gjatë blicit policor në zonën e Anderlechtit, por nuk bëhej fjalë për Najim Laachraouin, bashkëpunëtori i Salah Abdeslamit.

“Dy atentatorët në aeroport janë identifikuar. Individët e veshur me rroba të errëta duket të kenë qenë kamikazë, ndërsa personi i tretë, ai që mban një kapele në kokë, është ende në arrati”, tha Frederic Van Leeuw, prokuror federal.

Dy prej autorëve të sulmeve që tronditën një ditë më parë Brukselin ishin vëllezër. Khalid dhe Brahim el-Bakraoui, njëri autor i sulmit në aeroport, tjetri i atij në metro, nuk ishin emra të panjohur për policinë.

Dy vëllezërit, sipas televizionit “RTBF” kishin dosje penale. Emri i Khalid el-Bakraoui gjendet edhe në faqen e internetit të INTERPOL-it, ku rezulton i kërkuar për aktivitet terrorist. Khalid, nga sa pohon RTBF-ja, ishte arrestuar një herë në 2011-n për grabitje, ndërsa Brahimi 30-vjeçar kishte përfunduar prapa hekurave tetorin e 2010-s, pasi kishte qëlluar mbi policinë.

Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë pak përpara shpërthimeve në aeroport, ku shihen bashkë të 3 të dyshuarit, Brahimi duket të jetë personi në qendër. Nga sa pohon gazeta belge “La Derniere Heure”, Najim Laachraoui është në njërin krah të tij, duke shtyre valixhen-bombë me rrota, ekspozivi i tretë i destinuar të shtonte edhe më shumë numrin e viktimave, por që nuk shpërtheu.

Roli i Khalid el-Bakraouit në sulmin në aeroport u konfirmua përmes analizave të ADN-së, ndërsa atentatori i dytë nuk është identifikuar ende. Një minutë heshtjeje u mbajt në mesditë në nder të 31 viktimave të episodeve të përgjakshme, që zor se do të fshihen lehtë nga kujtesa e belgëve dhe të të gjithë Europës.

Departamenti amerikan i Shtetit, më herët i paralajmëroi qytetarët amerikanë për rreziqet potenciale nga udhëtimi drejt Europës, me argumentin se grupet e terrorit po përgatisin sulme në mbarë kontinentin, e në shënjestër kanë eventet sportive, zonat turistike, restorantet dhe transportin. Ndërsa një pjesë e shërbimeve të transportit në kryeqytetin belg i është rikthyer normalitetit, aeroporti me shumë gjasë do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri të enjten në mbrëmje.

Top Channel