Belgjikë, një minutë heshtjeje në mesditë dhe tri ditë zie

23/03/2016 00:00

Belgjika nisi sot tri ditët e zisë, pas sulmeve të një dite më parë në Bruksel, që morën 34 jetë njerëzish e plagosën 250 të tjerë. Një minutë heshtjeje do të mbahet në mesditë për nder të viktimave.

Një aksion gjigant policor po zhvillohet sakaq për gjetjen e një të dyshuari, të regjistruar nga kamerat e sigurisë pak përpara dy shpërthimeve në aeroport, mëngjesin e së martës. Një orë pas tyre, një tjetër shpërthim goditi stacionin e metrosë së Maalbeekut.

Përgjegjësinë e sulmeve e mori Shteti Islamik, me kërcënimin se do të ketë edhe të tjera. Në pamjet e shpërndara nga policia belge shihet personi më i kërkuar i momentit, duke shtyrë një karrocë, ku mendohet të ketë pasur një bombë që nuk shpërtheu.

Dy të tjerët në krah të tij prezumohet të kenë vdekur, pasi kanë aktivizuar eksplozivët që kishin me vete.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka paralajmëruar ndërkohë qytetarët amerikanë për rreziqet potenciale nga udhëtimi drejt Europës. Në deklaratën e DASH-it thuhet se, grupet e terrorit po përgatisin sulme afatshkurtra në mbarë kontinentin, me në shënjestër eventet sportive, zonat turistike, restorantet dhe transportin.

Top Channel