Vizita në Kubë, Obama: Do të heqim embargon

22/03/2016 00:00

Në një takim që zgjati më shumë se 2 orë me dyer të mbyllura mes Barack Obamës dhe Raul Castros, u kompensua mungesa 90-vjeçare e një bisede mes një Presidenti amerikan dhe një Presidenti kuban. Takimin më pas të dy liderët e finalizuan në një konferencë të përbashkët për shtyp.

“Më shumë do të mund të bëhej nëse Kubës do t’i hiqej embargoja dhe do t’i rikthehej baza e Guantanamos. Ne e dimë qëndrimin pozitiv të Obamës dhe administratës së tij, megjithatë bllokada është dekurajuese. Ne diskutuam me Presidentin Obama se çfarë hapash duhet të ndjekim për të reduktuar bllokadën”, deklaroi Castro.

Presidenti amerikan theksoi se të dy vendet do të kenë një të ardhme më të ndritur, nëse Kuba do të luftojë trafikimin njerëzve dhe kontrabandën e drogës për të cilat do të ketë mbështetjen e Uashingtonit.

Megjithatë Obama u shpreh se çdo progres në marrëdhëniet e tyre do të bazohej mbi reformat që do të realizojë vetë Havana.

“Embargoja do të marrë fund, por se kur unë nuk jam plotësisht i sigurt. Megjithatë rruga e nisur do të vazhdojë edhe përtej administratës time”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Teksa la evazive pjesën e bazës së Guantanamos, Presidenti amerikan i mëshoi çështjes së të drejtave dhe lirisë së popullit kuban.

“Ndërsa do të vazhdoj të bëj thirrje në Kongres për heqjen e embargos, unë i kërkova Presidentit Castro që të heqë fillimisht kufizimet që Kuba i vendos vetë. Në shekullin e 21 nuk mund të ketë shtete të suksesshëm, kur qytetarët e tyre nuk kanë akses në internet. Arritjet në shëndetësi, edukim apo e ardhmja e Kubës nuk do të vendoset nga ndonjë vend tjetër, por nga vetë kubanët”, vijoi Obama.

Ndonëse të dy liderët pranuan se vendet e tyre kanë dallime të thella në modelet politike, demokraci apo të drejtat e njeriut , fillimi i bashkëpunimit do të risjellë një erë të re , ashtu sikurse Obama theksoi se koncerti i grupit Rolling Stones në Havana do të jetë shkëmbimi i parë kulturor i Amerikës dhe Kubës.

Top Channel