Sulmi në Stamboll, Turqia ne gatishmëri të lartë

22/03/2016 00:00

Në daljen e tij të parë publike që pas sulmit në Stamboll, presidenti Recep Taip Erdogan tha se Turqia nuk do të dorëzohet para militantëve.

“Ne nuk do të dorëzohemi asnjëherë para axhendës së terrorit. Do të mundim organizatat terroriste dhe fuqitë që qëndrojnë pas tyre duke u mbështetur tek uniteti i vendit tonë”, tha ai.

Më shumë se 200 mijë pjesëtarë të policisë janë në detyrë në qytetet kryesore turke, disa prej të cilëve kanë ngritur edhe pika kontrolli. Sulmi në lagjen më popullore tregtare të Stambollit, është i katërti sulm i tillë në Turqi këtë vit dhe i dyti për të cilin dyshohen ekstremistët islamikë.

Në janar, një kamikaz hodhi veten në erë në zemrën historike të qytetit duke i marrë jetën 12 turistëve gjermanë. Një degëzim i partisë së punëtorëve të kurdistanit, PKK, mori përgjegjësinë për dy sulmet me autobomba në kryeqytetin Ankara ku mbetën të vdekur 66 vetë.

Turqia gjykon se rebelimi kurd është intensifikuar pas avancimeve territoriale të milicive kurde në Sirinë veriore. Katër vetë mbetën të vrarë të shtunën, tre izraelitë dhe një iranian.

Turqia po lufton si kundër grupit shteti islamik në Sirinë fqinje, ashtu edhe kundër militantëve kurdë në juglindjen e saj. Vala e sulmeve me bomba që i ka marrë jetën më shumë se 80 personave, ka ngritur pikëpyetje për aftësinë e vendit për të mbrojtur veten.

Top Channel