Në Belgjikë kërkohet i dyshuari në arrati, në botë solidarizohen me ngjyrat e flamurit belg

22/03/2016 00:00

Pasditen e së martës, ende nën ethet e sulmeve terroriste që shkaktuan të paktën 30 viktima dhe mbi 100 të plagosur, autoritetet belge kanë bërë të ditur se janë në ndjekje të një personi të dyshuar si pjesëmarrës në sulmin e aeroportit, të shfaqur edhe në fotografinë që po qarkullon nëpër media e rrjete sociale, për të cilin kanë kërkuar edhe ndihmën e banorëve për ta identifikuar.

Dy prej tyre, ata që për thjeshtësi mund të identifikohen si personat e veshur me të zeza, kanë hedhur veten në erë gjatë aktit terrorist, ndërsa ai me të bardha duket se i ka shpëtuar rrëmujës dhe ndodhet ende në arrati.

“Një fotografi e tri të dyshuarve meshkuj është kapur nga kamerat e sigurisë në Zaventem. Dy prej tyre kanë kryer akte vetëvrasëse. I treti, i veshur me xhaketë të bardhë dhe me kapelë, është ende në kërkim”, tha prokurori federal, Frederic Van Leeuw, në një konferencë për shtyp.

Një tjetër zyrtar qeveritar tha më vonë se, i dyshuari i tretë është parë teksa largohej me shpejtësi nga ndërtesa e aeroportit. Ndërkohë, policia belge ka gjetur një bombë dhe një flamur të Shtetit Islamik, gjatë kërkimeve në një shtëpi të lagjes “Schaebeek” të Brukselit, sipas rrjetit televiziv publik “VRT”.

Kryeministri belg, Charles Michel njoftoi se policia po kryen bastisje pas sulmeve në aeroport dhe në stacionin e metrosë, si pasojë e të cilave mbetën të paktën 30 viktima.

Ndërkaq, nga një shtet fqinj si Franca vjen një veprim solidarizues. Kulla “Eiffel” u ndriçua me ngjyrat e flamurit belg pasdite, në shenjë solidariteti me Brukselin, pas sulmeve vdekjeprurëse, të cilat i rikujtojnë Parisit një ngjarje jo shumë të largët, atë të 13 nëntorit të vitit të kaluar kur mbetën 130 viktima, sërish nga sulme terroriste të marra përsipër nga Shteti Islamik.

“Jemi të bashkuar”, tha kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, teksa shpallte përmes Twitterit ngjarjen speciale të ndriçimit të “Eiffel”-it dedikuar Brukselit.

Nga Franca bëhet gjithashtu e ditur se, mes të plagosurve të ngjarjeve të sotme janë edhe 8 shtetas francezë, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Por nuk ka qenë vetëm kulla “Eiffel”, ajo që është ndriçuar me ngjyrat e flamurit belg. Edhe porta “Brandenburg” në Berlin pati një shfaqje të ngjashme, sikurse në rezidencën zyrtare të Presidentit Francois Hollande flamuri francez u ul në gjysmështizë, kurse në hyrjen kryesore qëndronte ai i Belgjikës. Në një tjetër shenjë solidariteti, edhe shatërvani Trevi në Romë është ndriçuar me të njëjtat ngjyra, sikurse edhe ndërtesa e Bashkisë së kryeqytetit italian.

Top Channel