Banorët e zonave kufitare me Greqinë: Sirianët kanë ardhur…

21/03/2016 00:00

Kufijtë lidhin dhe bashkojnë njerëz. Veçanërisht ata të cilët kanë nevojë për ndihmë, e që vuajtjen e tyre e ndajnë me të tjerët. Nga halli, nga rrethanat, nga nevoja për mbijetesë.

Të tillë janë edhe refugjatët sirianë, që largohen nga vatra e luftës e ikin ku t’i çojnë këmbët. Ndonjëherë, edhe pa e ditur se kush do të jetë destinacioni final i tyre.

Shqipëria pritet të jetë vendi nga i cili do të kalojnë transit për në pjesën e zhvilluar të Europës. E ndërsa shumica prej nesh janë në pritje, ka nga ata që janë përballur me refugjatët sirianë kohë më parë. Janë banorët e zonave kufitare të Gjirokastrës, të cilët jetojnë vetëm disa minuta larg Greqisë, aty ku është ndalesa e momentit për sirianët.

Në këtë anë të kufirit, në Koshovicë, Mihalit, disa refugjatë sirianë i kanë kërkuar ndihmë kohë më parë.

“Njëri prej tyre më kërkoi 50 euro por s’ja dhashë se s’kisha. Madje as nuk e dinin që ishin në Greqi. Fola në greqisht me ta, e dinin pak, siç di unë shqipen”, thotë Mihali.

Koshovica është fshati i Gjirokastrës, më kufitari me token greke. Në këtë periudhë të vitit, nuk gjen më shumë se 50 banorë. Me një shqipe të cilën e flasin me më tepër vështirësi se greqishtja, ata janë të dyzuar mbi faktin nëse duhet të mirëpresin ose refugjatë sirianë, të cilët gjenden vetëm pak kilometra larg tyre.

“Më dhimbsen kur shoh në televizor fëmijët e mbytur në brigje…Në verë kam parë refugjatë sirianë”, thotë Vasil Katerina, banor.

Pas Koshovicës, ndalojmë në fshatin Kakavijë. Aty të gjithë i shmangen kamerës, përveç Spiro Naçit, i moshuari i cili gjatë viteve të tranzicionit, është mësuar me njerëz që ikin dhe vijnë nëpërmjet kufirit.

Drita është një tjetër fshat kufitar i Gjirokastrës. Një prej 28 banorëve të tij na hap dyert e shtëpisë. Vasili Koloi jeton poshtë kodrës e cila e ndan me Greqinë.

“Për gjysmë ore shkojmë në Greqi, në këmbë”, thotë Vasili.

Refugjatët sirianë i kujtojnë atij shqiptarët e viteve ‘90, edhe pse në mes ka një ndryshim rrënjësor.

“Dikur shkonim ne emigrantë tek greku dhe ata na kanë pritur. Dhe ne nuk ishim në luftë. Do i presim sirianët”, thotë një banor i zonës.

Kur e pyet për mikpritjen e refugjatëve sirianë, nëse në portën e tij ata do të trokisnin së shpejti, Vasili heq dorë nga përgjigjet diplomatike.

“Tani varet se kush vjen”, thotë ai.

Dikur, në këto fshatra kanë kaluar shumë emigrantë, në tentativën për një jetë më të mirë përtej kufirit shqiptar. Lufta në Siri e ka ndryshuar kahun dhe rrjedhën e ngjarjeve. Tashmë, refugjatët janë ata…

Top Channel