Pas suksesit në Londër me pjesën “Suor Angelica”, ndonëse me një aktivitet të ngjeshur artistik, sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho vjen sërish në skenën e TKOB, prej nga ku nisi edhe karrierën e saj artistike.

Kjo është hera e dytë që Jaho organizon masterklas me këngëtarët e rinj lirikë shqiptarë, me qëllim shkëmbimin e eksperiencës e teknikës, si edhe për të ndarë me ta sekretet për të pasur rezistencën e duhur në përballimin e operave të mëdha.

“Kur hyjnë në shkollë këngëtarët e rinj mësojnë me një apo dy arje, si një motor që përgatitet për të bërë një garë prej 10 km. Për t’u matur me botën duhet që motori të përgatitet për 100 km. Këtë lloj disipline logjike unë kërkoj ta ndaj me artistët e rinj”, thotë Jaho.

Jaho vlerëson prurjet artistike dhe cilësitë vokale të artistëve të rinj, një meritë sipas saj vjen nga vendi ku janë lindur. “Kjo tokë me këtë lloj historie i ka dhënë një zë, një karakteristikë kaq të veçantë tingullit të zërave shqiptarë, që e dallojnë nga zërat nëpër botë”, thotë Jaho.

Vetëm pak ditë më parë, këngëtarja e skenave të mëdha botërore është nominuar në “International Opera Aëard’, duke e rendidur Jahon krah 7 emrave më të mëdhenj të muzikës për këtë çmim prestigjoz. Sopranon më shumë se konkurrimi, duket se e gëzon fakti që një emër shqiptar lakohet në garën për çmimin qe konsiderohet Oscar në muzikën lirike.

“Kjo nuk më bën as këngëtaren më të mirë e as do më ndryshojë. Arritëm me punën tonë të marrim vëmendjen e tyre dhe nëse kjo fitohet, shpresoj, është një hap përpara për operën shqiptare”, shton Jaho.

Top Channel