Agjentë të policisë së Durrësit kanë finalizuar këtë pasdite operacionin e koduar “Zyrtari”, që ka çuar në pranga shtetasin Eduart Gogoli, i akuzuar për një seri vjedhjesh.
Sipas burimeve policore lokale, të paktën 6 janë vjedhjet e 36-vjeçarit të dokumentuara nga hetuesit, të kryera në institucione dhe zyra administrative shtetërore.
Në një njoftim për shtyp thuhet se 36-vjeçari ka vjedhur kompjutera e sende të tjera në Kapitenerinë e Portit të Durrësit, në një shkollë 9-vjeçare, Poliklinikën Qendrore dhe Spitalin Rajonal të Durrësit.
Eduart Gogoli nuk ka kursyer as objektet e kultit dhe sipas policisë ka vjedhur shumën prej 5 mijë lekësh në xhaminë e qytetit.
36-vjeçari ishte liruar nga burgu më 21 janar të këtij viti për të njëjtën vepër penale dhe vetëm 3 ditë me pas kishte rinisur veprimtarinë kriminale.
Top Channel