Debat televiziv në Florida, Clinton-Sanders “përplasen” për emigracionin

10/03/2016 09:05

Pretendentët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bernie Sanders dhe Hillary Clinton, u përballën ashpër për emigracionin dhe çështje të tjera në debatin e radhës në Florida.

Kjo përballje televizive u zhvillua vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të radhës, mes të cilave do të jetë edhe shteti i Floridës. Me 246 delegatë në lojë, ky shtet jugor është çmimi i madh i zgjedhjeve të 15 marsit.

Clinton sulmoi Sandersin duke thënë se ky i fundit votoi kundër reformës së emigracionit në vitin 2007, duke treguar qëndrimin e tij antiemigracion. Por Sandersi u përgjigj duke thënë se ai ishte i shqetësuar për trajtimin e punëtorëve të huaj dhe sipas tij, ajo reformë e propozuar në atë kohë ishte e ngjashme me skllavërinë. Ai gjithashtu shtoi se Clinton nuk është dakord që emigrantët ilegalë të marrin patentë për drejtim mjeti në SHBA.

Sipas analistëve, gara demokrate ka ndryshuar ndjeshëm që pas fitores surprizë të Sandersit në Miçigan dhe Clinton është detyruar të pranojë se rivali i saj nuk është mposhtur ende. Sandersi po shfrytëzon fitoren e beftë në Miçigan duke sulmuar dhe më fort Clintonin, ndërsa sugjeroi se ajo ka diçka për të fshehur, pasi nuk publikon pagesat e marra për fjalimet e bëra në firmat e Ëall Street-it dhe se ajo është në xhepin e biznesit të madh.

Clinton dhe Sanders debatuan për çështje si krijimi i vendeve të punës, arsimi dhe ndryshimet klimaterike. Sigurisht, nuk mund të mungonte sulmi i përbashkët ndaj republikanit Donald Trump, i cili, sipas tyre, nuk është absolutisht njeriu i duhur për të drejtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA