Reforma në drejtësi, Vasili: LSI, asistencë nga kompani konsulence amerikane

03/03/2016 00:00

Për një periudhë disa mujore LSI do të asistohet nga një kompani konsulence amerikane që do të këshillojë partinë për çështje madhore si reforma në drejtësi, çështje që kanë të bëjnë me transparencën etj.

“Ne kemi marrë një vendim i cili është në faqen tonë online dhe të cilin ju keni pasur vëmendje që ta konsultoni. LSI është e vetmja parti politike në vend , e cila ka iniciuar një proces transparence të financave të saj, të cilat janë publike në faqen zyrtare të LSI-së. Për shkak të kësaj transparence ju jeni të njohur me buxhetin e LSI dhe zërat e ndryshëm të tij. Në këtë kuadër, ju bej me dije se ka pasur një ndryshim të buxhetit të LSI-së brenda ekuilibrave të buxhetit që ne kemi. LSI ka vendosur që për një periudhë të shkurtër disamujore të asistohet nga një kompani konsulence e mirënjohur amerikane, Global Security and Innovative Service. Kjo kompani do të këshillojë LSI-në për një periudhë të shkurtër, në mënyrë të veçantë për çështjet madhore siç është reforma në drejtësi, çështjet që kanë të bëjnë me transparencën, me zhvillimin ekonomik të vendit, çështje të sigurisë, që janë një shqetësim i madh mbarëbotëror, çështje që kanë të bëjnë me politikat e zhvillimit bujqësor, politika të zhvillimit të transportit”, u shpreh z. Vasili.

Kjo konsulencë tha Vasili bëhet për të qënë gjithmonë e më koherent në politikat dhe në çështjet që shqetësojnë vendin. Për këtë një pjesë e buxhetit të partisë është vendosur të shpenzohet për këshillimin e kualifikuar dhe sondazhet mbi çështje me ndjeshmëri të lartë publike.

Top Channel