Raporti i DASH, Noka: Shqipëria, hapa prapa. Bandat të lidhura me qeverinë

03/03/2016 12:35

Deputeti demokrat, Flamur Noka ka reaguar paraditen e së entjes lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit për narkotikët, duke vlerësuar se Shqipëria ka bërë hapa prapa.

Sipas tij, raporti ka vënë në dukje shqetësimin e përsëritur të Partisë Demokratike për përhapjen e kultivimit të hashashit në mbarë vendin dhe jo konstatimet e ministrit të Brendshëm për sukses.

“Raporti i DASH, e cilëson në mënyrë të drejtprërdrejt që Shqipëria është prodhuesi kryesor i kanabisit në Europë dhe Shqipëria është pikë kryesore e tranzitit të drogave të forta”, ka deklaruar Noka.

Sipas tij, konfirmim më të “qartë dhe më të plotë” se ky për të treguar se vendi është kthyer në një plantacion droge të qeverisur nga Rama dhe Tahiri dhe trafikantët e tyre nuk ka.

“Nuk mund të ndodhë ndryshe kur në Parlament kemi banditë dhe trafikantë, nuk mund të ndodhë ndryshe kur bandat e Habilajve dhe të Shullazit e kanë kthyer Shqipërinë në plantacion droge dhe në korridorin kryesor të drogave të forta. Ky është realiteti dhe në këtë realitet që ne e jetojmë çdo ditë i vuri vulën sot edhe Departamenti Amerikan i Shtetit”, ka thënë Noka.

Duke e cilësuar raportin “një turp të madh” për këtë qeveri, deputeti demokrat ka kujtuar se, në vitin 2012 Shqipëria kishte dalë nga harta e trafikut të drogave të forta dhe nuk ishte më pikë tranziti.

“Ky është një kthim mbrapa dhe dalja e një krenaristi është e turpshme. Në vend të futej sot skutave dhe të fshihej nga turpi për këtë damkë që mori vendi ynë, ai del me paturpësi së bashku me kryeministrin e tij si krenaristë dhe mburren për një turp dhe një damkë që iu vu vendit tonë sot”, ka thënë më tej Noka, duke iu referuar ministrit Tahiri. 

Top Channel