PD protestë në Peqin, i rrahuri: U pajtova me Aqif Rakipin

03/03/2016 00:00

Pak ditë më parë Partia Demokratike akuzoi deputetin e PDIU, në mazhorancë, Aqif Rakipi, se kishte rrahur barbarisht kryetarin lokal të PD në Peqin.

I dhunuari pranoi dhunën, por nuk bëri denoncim, ndërsa Partia Demokratike organizoi një protestë në Peqin për taksat e investimet ndërsa kishte edhe pankarta kundër dhunës. Por vetë kryetari i PD, Peqin e konsideroi këtë një çështje të mbyllur.

“Ngjarje të tilla kanë ndodhur në Parlament, e mund të ndodhin edhe më poshtë. Nuk i shtoj apo i heq një presje, deklaratës së sekretarit të PD-së, Arben Ristani. Ngjarja në fjalë nuk duhej të ndodhte, sepse ne si Peqin kemi rregulla të tjera, miqësi, vllazëri dhe çdo gjë mes nesh është e mbyllur. Pra, nuk kam asnjë koment për ngjarjen”, thotë Diell Çela, kryetar i PD, Peqin.

Këtë akt, deputeti i PD Luçiano Boçi e komentoi duke thënë se vlerësonte rregullat e miqësisë që ekzistojnë në Peqin.

“Miqësia, shoqëria prevalon mbi politikën, është një lloj vlere po që duhet shfrytëzuar për të mirën e qytetit. Dhe kjo nuk do të thotë që sot ne nuk do të flasim për politikën e mbrapshtë”, tha Luçiano Boçi.
 
Gjatë fjalimit të tij, Boçi la gjithashtu të kuptohet se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në këtë protestë kishte të bëntë pikërisht me frikën nga ata që janë në pushtet.

Top Channel