Basha: Raporti i DASH, kthim në ditët më të zeza

03/03/2016 18:35

Lulzim Basha i bën një lexim krejt ndryshe nga Edi Rama raportit të Departamentit të Shtetit për trafikun e drogës dhe arsyet për këtë i jep përmes një komenti të gjatë në rrjetet sociale, ku nuk kursen ironinë me deklaratën e Kryeministrit.

“Shqipëria, një burim kryesor i prodhimit të marijuanës dhe pikë kryesore tranziti për drogat e forta, si heroine e kokainë, për tregjet europiane. Kështu deklaron Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij për narkotikët…dhe kjo përkthehet nga Edi Rama si arritje, si raporti më i mire në 25 vite”, nis shkrimin e tij Lulzim Basha.

Pasi thotë se, “Shqipëria është në hartën e zezë të prodhimit të tranzitimit të drogës si burim kryesor”, kreu i demokratëve krahason raportin e këtij viti me ato të 2010, 2011 dhe 2012, kur në pushtet ishin demokratët.

“Një kthim pas në ditët më të zeza dhe prishje e përpjekjes së madhe për ta hequr Shqipërinë nga harta e drogës, çka solli anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave dhe që u vlerësua nga raportet e partnerëve”, thotë Basha.

Sipas Bashës, me Edi Ramën Shqipëria është në krye të hartës së drogës dhe për këtë Partia Demokratike më shumë sesa ministri i Brendshëm, fajëson shefin e tij.

“Arsyeja e madhe se pse Shqipëria është burim kryesor për prodhimin dhe tranzitimin e drogës, është Edi Rama, i cili ka bërë trafikantë të njohur droge, deputetë, drejtorë, shefa e kryetarë bashkie, i cili refuzoi përfshirjen e testit të drogës në paketën e dekriminalizimit. Drogë dhe krekosje. Ky është në fakt edhe thelbi i tij”, mbyll shkrimin e tij Lulzim Basha.

Top Channel