Llalla ka vërejtje për BKH, replika me Çakon

19/02/2016 10:20

Debatet për krijimin e Byrose Kombëtare të Hetimit tashmë janë bërë pjesë e përplasjeve edhe mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe numrit një të policisë Haki Çako.

Kreu i akuzës u rreshtua kundër siç edhe qëndrimi i mbajtur një jave më parë nga Unioni i Prokurorëve. Unioni pati deklaruar më herët se projektligji për Byronë nuk reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se kjo njësi e specializuar për të luftuar korrupsionin e ka të paqartë objektin e veprimtarisë së saj.

“Prej disa ditësh jemi njohur me draftin e ri, i cili synon të përmirësojë kuadrin ligjor në ligjin për policinë e shtetit. Në bazë të draftit të paraqitur synohet të krijohet një njësi e posaçme policore ajo e Byrose Kombetare të Hetimit. Strukuturës nëpërmjët së cilës, synohët të rritët numri i referimit të veprave penale të korrupsionit zyrtarëve të niveleve të larta. Prokuroria e Përgjithshme vlerson krijimin e strukturave të tilla edhe pse ka pasur rezervat e veta për mënyrën sesi është paraqitur ky draft ligjor, apo problematika të tjera të cilat jan konstatuara në këtë ligj. Ne ndajmë të njëjtën bindje me atë që tashmë është bërë publik nga unioni i prokurorëve lidhur me problematikat e këtij drafti ligjor”, u shpreh Llalla.

Por ndërsa Llalla nënvizoi se ky draft synon të përmirësojë ligjin për Policinë e Shtetit duke lënë në hije forcën e prokurorit, kryepolici Çako këmbënguli se autoriteti i prokurorisë është primar.

“Lidhur me strukturen e re të propozuar dhe të kaluar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave të Byrosë Kombëtare të Hetimit, unë do të thosha qe ajo konsiderohet në një nga strukturat më të rëndësishsmë të policisë, e cila do të synojë investigimin, hetimin, gjurmimin, por dhe sigurimin e provave në kohë rekord për të gjithë individët ose personat qofshin këto edhe të nivelit të lartë që janë subjekt edhe të veprës penale të korrupsionit. Në këtë kuadër shpresojmë dhe besojmë që falë një bashkëpunimi, i cili është parashikuar në mënyre konstante në këtë draft, me autoritetin absolut të prokurorisë, për aspektët proçeduriale penale kjo strukturë të japë rezultatet e veta”, tha Çako.

Dy zyrtarët kanë ndarë mendime të ndryshme edhe për referimet në njësinë antikorrupsion tek Krimet e Rënda, ku sipas Llallës referimet kanë qënë të papërfillshme ndërsa sipas Çakos janë dërguar dosje mjaftueshëm.

Të ndryshëm kanë qënë këndvështrimet mes përfaqësuesve të prokurorisë dhe policisë edhe për përgjimet. Megjithatë, Llalla dhe Çako kanë qënë në të njëjtën frekuencë përsa i takon luftës ndaj krimit të organizuar, sepse sipas të dy zyrtarëve duhet të rritet bashkëpunimi për të siguruar prova në rastet e pasurive që vijnë nga krimi e që i nënshtrohen procedurave të sekuestrimit.

Top Channel