Miratohet marrëveshja, FMN: Shqipëria arriti objektivat

18/02/2016 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi në nivel politik rishikimin e pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes me Shqipërinë, duke konfirmuar se qeveria ka përmbushur të gjitha objektivat e programit të përbashkët.

Miratimi nga bordi i drejtorëve ekzekutiv në Uashington i hap rrugë disbursimit të këstit të radhës prej 72.4 milionë euro, të cilat qeveria pritet t’i tërheqë gjatë muajve në vijim.

Nëndrejtori i përgjithshëm i Fondit, Min Zhu, deklaroi se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare po ecën sipas programit, ndonëse ekzistojnë ende risqe.

“Performanca e autoriteteve shqiptare nën programin e bashkëpunimit ka qenë e fortë, duke përfshirë ndërmarrjen dhe zbatimit e reformave strukturore të vështira dhe ambicioze”, deklaroi Zhu.

FMN inkurajon qeverinë të vazhdojë programin e reformave dhe e këshillon të mbështetet në progresin thelbësor të deritanishëm, për të përshpejtuar rritjen ekonomike të vendit.

Por, edhe pse njeh arritjet, bordi i drejtorëve i tërheq vëmendjen qeverisë për disa masa që ajo ka marrë së fundmi, duke filluar nga heqja e taksave për 83 mijë bizneset e vogla.

“Qëllimi i qeverisë për të vazhduar konsolidimin fiskal përmes zgjerimit të bazës tatimore dhe përmirësimit të sistemit është ai i duhuri. Për të përmbushur këtë qëllim ajo duhet të reduktojë varësinë në masat e përkohshme dhe të shmangë përjashtimet e taksave apo normat preferenciale të tyre”, thotë bordi.

Por, veç kritikave për përjashtimet tatimore, FMN i sugjeron qeverisë të bëjë kujdes edhe në një drejtim tjetër, atë që ka të bëjë me luftën kundër informalitetit.

“Përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të përmirësuar mbledhjen e taksave duhet të përputhen më mirë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duhet të mbështeten në përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore”, thotë dokumenti i hartuar.

Një tjetër pikë delikate për të cilën FMN bën thirrje për kujdes është ajo e konçesioneve. “Qeveria po ndërmerr hapa të vendosur për t’u përballur me rreziqet fiskale. Është e rëndësishme të forcohet kapaciteti për realizimin e investimeve dhe të sigurohet se çdo efekt që buron nga koncesionet në buxhet të vlerësohet në mënyrë transparente”, thotë FMN.

Në fund të deklaratës, FMN ka rithkesuar rëndësinë e uljes së kredive të këqija për rigjallërimin e kredisë për ekonominë, duke i kërkuar autoriteteve t’i përmbahen planit për uljen e tyre. 

Top Channel