Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u takua në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn. Fokusi i takimit ishte reforma në drejtësi.
Interesimit të shefes për politikën e jashtme të BE-së për ecurinë e saj, ministri Bushati iu përgjigj se qeveria shqiptare është e vendosur për përmbylljen e saj. Federica Mogherini, thotë njoftimi i Ministrisë së Jashtme, vlerësoi angazhimin për të vijuar me vendosmëri përmbylljen e reformës në drejtësi, mesazhe këto që ajo pritet t’i japë edhe në Tiranë në datën 4 mars.
Reforma në drejtësi ishte gjithashtu temë diskutimi me komisionerin e Zgjerimit, Johanes Hahn: “U informova nga ministri Bushati për ecurinë e reformës në drejtësi. Tani po pritet opinioni i Komisionit të Venecias për të kaluar më pas në fazën tjetër të reformës, që është shumë e rëndësishme për procesin integrues të vendit”.
“E vlerësoj shumë, në emër të qeverisë shqiptare, mbështetjen që Komisioni Europian i ka dhënë procesit të reformës në drejtësi dhe bashkëpunimit që kemi pasur me Komisionin e Venecias”, tha Bushati.
Në takimin me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, ministri Bushati theksoi gadishmërinë e vendit për të kaluar në një fazë të re, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim.
Komisioneri Hahn do të vizitojë Tiranën në fund të muajit mars, për takimin e radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.
Top Channel