Lufta kundër informalitetit, Rama: Kemi ulur konkurrencën e pandershme

15/02/2016 15:05

Lufta ndaj informalitetit, sipas kryeministrit Rama, ka rritur forcën e sipërmarrjeve shqiptare. Dhe për të treguar këtë, shefi i qeverisë, i shoqeruar nga ministri Ahmetaj dhe drejtoresha e Tatimeve, Shehaj, ka vizituar një fabrikë 100 për qind shqiptare, e cila është kthyer në një prej sipërmarrjeve më të mëdha në Ballkan në prodhimin dhe tregëtimin e tullave.

“Ne mbështesim jo vetëm veprimin për pengimin e ndërtimeve të paligjshme, por edhe formalizimin e ekonomisë, e mbështesim 100%. Ne na ka ndihmuar shumë formalizimi i ekonomisë. Kemi qenë një nga fabrikat të formalizuara 100% që në fillim, por më parë vinin tregtarët e vegjël, pasi punojmë me tregtarë e jo me privatë të cilët nuk e donin TVSH-në, sepse rrisnin xhiron e tyre. Sot nuk kalon asnjë kamion i vogël, as dy paleta, pa TVSH. Fatmirësisht, tani është ndryshe. Lufta kundër informalitetit po jep rezultate”, u shpreh pronari i subjektit, Asllan Baraj.

Fabrikës që shpenzon çdo vit thuajse 600 mijë euro në investime falë politikave të reja fiskale i janë kthyer mëse 1.6 milion euro borxhe që i detyroheshin nga shteti.

Duke e konsideruar këtë fabrikë një histori suksesi që po preket në shumë sipërmarrje, kryeministri theksoi edhe njëherë angazhimin e qeverisë për formalizimin e ekonomisë dhe shmangien e konkurrencës së pandershme.

“Lufta kundër informalitetit po jep rezultate, por ka akoma shumë për të bërë. Ne po përpiqemi dhe bëjmë çmos të mos e stresojmë biznesin. Kemi ndryshuar taktikë sepse tani jemi në një fazë tjetër. Kemi një tru elektronik në Tatime, që bën gjithë mbledhjen e xhirove dhe që jep alarm kur ka devijime. Do ta zgjerojmë këtë tru elektronik edhe me partneritetin për interesin publik për mbledhjen e TVSH. Ju përfitoni drejtpërdrejtë pasi ulet shumë konkurrenca e pandershme. Sjellja e të vegjëlve ka filluar të ndryshojë. Të mëdhenjtë nuk mund t’i përdorin më të vegjlit dhe t’i abuzojnë për të shfryrë në mënyrë të paligjshme paranë. Nga ana tjetër, përsa i përket ndërtimit, jemi në kushte të tjera dhe ky sektor çlirohet plotësisht. Njësitë e banimit në të gjithë zonën rurale, që ju i keni më problem, tani ndërtohen pa problem. Mjafton që të vazhdoni me procedurat në bashki”, deklaroi Rama.

Top Channel