OSHEE del nga kriza, bilanc pozitiv pas shumë vitesh

12/02/2016 13:05

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike raportoi se për herë të parë pas shumë vitesh regjistroi një bilanc pozitiv. Përmes një njoftimi zyrtar OSHEE bën të ditur se gjatë vitit të kaluar regjistroi 14.9 miliardë lekë ose mbi 120 milionë dollarë fitime.

Sipas kompanisë ky është viti i dytë që treguesit financiar shënojnë përmirësim të ndjeshëm. Në 2013-ën, OSHEE regjistroi 27 miliardë lekë humbje ndërsa në 2014, humbjet ranë në 4.5 miliardë lekë.

Sipas OSHEE përmirësimi i bilancit është rezultat i uljes së humbjeve në rrjet dhe rritjes së arkëtimeve nga energjia e faturuar. Kompania arkëtoi 65,7 miliard lekë vitin e kaluar me një rritje prej rreth 33 për qind krahasuar me 2014-ën. Nga ana tjetër humbjet e energjisë në rrjet ranë nga 37.8 për qind që ishin në 31.3.
 
Përmirësimi i treguesve dhe shëndoshja e bilancit, sipas kompanisë i kanë bërë asaj të mundur që vitin e kaluar të financojë 7.5 miliardë lekë investime me fondet e veta ndërsa këtë vit shifra pritet të arrijë në 12 miliardë lekë.

Top Channel