Orteku i fuqishëm i merr jetën 10 personave, mes viktimave edhe alpinisti që vendosi rekord botëror Gjermania planifikon t’i shtojë Algjerinë, Marokun dhe Tunizinë, listës së saj të vendeve të origjinës së sigurtë. Tani, shtetasit e këtyre vendeve zor se do të arrijnë të marrin azil, sqaroi ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel.
Lëvizja e Berlinit është pjesë e një pakete të re masash, që synojnë ashpërsimin e rregullave në vendin e përballur vitin që shkoi me një valë gjigante azilkërkuesish, prej plot 1,1 milionë vetë.
Komentet e Gabrielit erdhën pas bisedimeve që socialdemokratët e tij zhvilluan me kristiandemokratët e Angela Merkelit dhe partinë simotër të këtyre të fundit, CSU. “Atmosfera ishte mjaft pozitive”, – citohet të ketë thënë ai.
Maroku iu përgjigj menjëherë propozimit, me zotimin të riatdhesojë të gjithë shtetasit e vet të mbërritur në Gjermani ilegalisht. Koalicioni qeverisës gjeti kompromisin edhe në lidhje me bashkimin familjar të refugjatëve sirianë, i cili u vendos të pezullohet për dy vite.
Në të njëjtën kohë do të përshpejtohet ndjeshëm deportimi i personave, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil. Çështja e emigrantëve ishte kthyer në një ngërç të vërtetë për qeverinë e Merkelit, të cilën CSU arriti deri aty sa ta kërcënonte me gjyq, nëse kërkesa e saj për frenimin e fluksit të të ardhurve nuk do të trajtohej me seriozitet.
Tani që mosmarrëveshjet disajavore mbi të ashtuquajturën “Paketa e II-të e azilit” u sheshuan, Kancelarja mund të marrë frymë lirisht. Ujdinë e parapriu një grindje e gjatë mbi ligjet e miratuara në nëntor, duke e helmuar atmosferën brenda koalicionit.
Megjithatë “të gjelbrit” janë të pakënaqur. “Kush e pezullon bashkimin familjar, pranon në heshtje që të mbyten në Mesdhe fëmijë dhe gra, pranon në heshtje që integrimi do të jetë edhe më i vështirë”, tha për “AFP”-në zëdhënësja e grupimit, Franziska Brantner. Propozimet e koalicionit duhet të aprovohen tani nga Qeveria dhe nga Parlamenti gjerman.
Top Channel