Rregullorja në futboll pritet të pësojë ndryshime të rëndësishme në vitet e ardhshme. Në 5 shkurt në Kardif, Bordi Ndërkombëtar i Federatave (IFAB) do të mbajë mbledhjen e radhës, ku do të diskutohen edhe këto ndryshime.
Në këtë mbledhje do të vlerësohen propozimet më të rëndësishme për përmirësimin e këtij sporti. Një prej ndryshimeve që pritet të miratohet është ajo e përdorimit të moviolës në fushën e lojës, që tashmë është bërë e paevitueshme. Në këtë rast, aplikimi është i komplikuar pasi janë disa kritere që duhet të përcaktohen. Së pari, është kriteri i atij që do të vendosë për një episod dhe logjika të çon te arbitri. Së dyti, janë rastet për të cilat duhet me çdo kusht që të përdoret moviola dhe së treti, duhet përcaktuar nëse arbitri duhet të ndalë lojën në një rast të dyshimtë apo jo.
Mendohet se moviola si fillim do të përdoret në rastet e pozicionet jashtë loje, pasi është më e lehtë për t’u realizuar se për faullat. Janë 6 liga që u ofruan për të bërë këtë eksperimentim dhe bëhet fjalë për kampionatet në Holandë, SHBA, Brazil, Gjermani, Francë e Itali. Gjithsesi, për moviolën mendohet që aplikimi do të nisë nga viti 2020.
Por jo vetëm kaq, në mbledhjen e IFAB-it do të miratohet edhe sanksioni i trefishtë (penallti, karton i kuq dhe përjashtim), një temë kjo që ka gjetur unanimitet. Mësohet se do të bëhet përjashtim vetëm në rastet kur ndërhyrja është e dhunshme si dhe në momentin që një mbrojtës e largon topin me dorë mbi vijën fatale të portës. Ideja e IFAB është që këtë sanksion të trefishtë për ndërhyrjet në zonë ta kthejë në të dyfishtë; penallti dhe karton të verdhë.
Ndryshim tjetër që pritet të miratohet në mbledhjen e IFAB-it është edhe ajo e rastit të prekjes së topit me dorë. Ideja është që do të ketë ndëshkime me karton të verdhë vetëm në rastet kur një futbollist e prek topin me dorë për të ndërprerë një aksion të skuadrës kundërshtare, ndërkohë që do të eliminohet fjala “vullnetare” për të saktësuar se do të ndëshkohen ato raste kur pozicioni i dorës ose i krahut të një lojtari nuk është natyral.
Top Channel