Zbatimi i plotë i marrëveshjes së 2 qershorit është e vetmja rrugë, që e çon përpara Maqedoninë.
Kështu u shprehën në konferencën e përbashkët për mediat, eurodeputetët Ivo Vajgl, Richard Howitt dhe Eduard Kukan, duke kërkuar nga drejtuesit politikë në vend, që të shtojnë përpjekjet për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja për zgjidhjen e krizës politike. Në të kundërt, ata kanë paralajmëruar se Maqedonia mund të humbasë rekomandimin për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Marrëveshja nuk është zbatuar plotësisht, përndryshe nuk do të ishim këtu. Ajo duhet të zbatohet, përfshirë këtu edhe dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski, dhe reformat e tjera. Zbatimi dhe respektimi i plotë i marrëveshjes së 2 qershorit është në interesin demokratik dhe euroatlantik të vendit dhe mund të ndihmojë në përparimin drejt zgjidhjes së çështjes së emrit”, tha Richard Howitt, eurodeputet.
Deputetët europianë kërkuan nga autoritetet e Shkupit, që të sigurojnë kushte demokratike për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 24 prill, teksa nuk komentuan zërat për shtyrjen e datës së votimeve.
“Mund të ndërmerren shumë hapa konkretë gjatë javës dhe muajve në vijim, që të përmirësohet situata me mediat. Duhet të zgjidhen edhe çështjet, që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe procesin zgjedhor, duke filluar me atë më të vështirën, që ka të bëjë me listën zgjedhore. Por edhe shumë reforma të tjera”, tha Ivo Vajgl, eurodeputet.
Krahas takimeve me drejtuesit e 4 partive kryesore, deputetët europianë, gjatë qëndrimit dyditor në Shkup kanë takuar edhe prokuroren speciale, Katica Janeva, si dhe drejtuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Pas tyre, Shkupin pritet ta vizitojë këtë të premte edhe Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn.
Top Channel