Numri i emigrantëve dhe refugjatëve të mbërritur në Europë këtë vit, nga toka e deti, kapërceu një milionët, tregojnë të dhënat e organizatës ndërkombëtare të emigracionit IOM, shifër kjo 4 herë më e lartë se totali i vitit të kaluar.
Pjesa dërrmuese e këtyre njerëzve kanë udhëtuar nga deti; mbi 800 mijë është numri i të nisurve nga Turqia drejt Greqisë. Shumica janë refugjatë nga Siria, Iraku e Afganistani. Sipas IOM-it, 3.695 emigrantë janë mbytur gjatë 2015-s, ose konsiderohen të zhdukur.
Kapërcimi i shifrës një milion shënon – sipas organizatës ndërkombëtare, – kalimin e gurit kilometrik të mbushur me simbolizëm. Statistikat e saj, IOM i mbështet në informacione të përftuara nga regjistrimet, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe monitoruesit e saj në terren.
Por për drejtorin e Përgjithshëm, William Lacy Swing, nuk mjafton vetëm të mbledhësh shifra, por duhet bërë më shumë se aq.
“Duhet kaluar në veprime konkrete. Emigracioni duhet të jetë i ligjshëm, i sigurtë e i garantuar për të gjithë, si për emigrantët, ashtu edhe për vendet që do të kthehen në strehën e tyre të re”, tha William Lacy Swing, drejtor i IOM.
Një deklaratë e përbashkët e IOM-it dhe UNHCR-së thekson faktin, që një përgjigje e koordinuar europiane ndaj kësaj situate ka nisur ngadalë të marrë formë. Megjithatë, më shumë duhet bërë sipas organizmave në fjalë, sa i takon përmirësimit të kapaciteteve pritëse, akomodimit, regjistrimit e identifikimit të atyre që kualifikohen ose jo për mbrojtje në cilësinë e refugjatit.
Fluksi i jashtëzakonshëm i emigrantëve ka shkaktuar ndasi të mëdha në mesin e anëtarëve të BE-së, disa prej të cilëve kanë ngritur barriera e kanë rikthyer kontrollet në kufi, edhe pse të tilla veprime bien ndesh me rregullat e zonës së lirë të “Schengen”-it.
Top Channel