Çmimet “Rexhai Surroi”

22/12/2015 00:00

“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, nga Mira Meksi, është zgjedhur “romani më i mirë shqiptar për vitin 2015”, në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari të shkruar, që organizohet çdo vit nga grupi “KOHA” në Prishtinë.

Ky çmim iu dha autores nga publicisti Kim Mehmeti, si anëtar i jurisë, i cili tha se romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” ngërthen në vete një gjuhë të kulluar shqipe, pa ndikim nga gjuhët sllave dhe ajo turke.

Çmimi “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar iu nda gazetares së gazetës “Koha Ditore”, Saranda Ramaj, e cila ka zbuluar parregullsi në fushën e shëndetësisë. Ndërsa artikulli, me të cilin u shpërblye Ramaj, titullohet “Rruga e Citostatikëve”.

Tradicionalisht, në këtë ceremoni ndahet edhe “mirënjohja për vepër jetësore”, të cilën këtë vit e fitoi violinistja Pranvera Badivuku. Këtë mirënjohje e dorëzoi drejtoresha ekzekutive e grupit “KOHA”, Flaka Surroi.

Juria e sivjetshme ishte e përbërë nga Drenusha Zajmi-Hoxha, Kim Mehmeti, Zenun Çelaj dhe Halil Matoshi.

Top Channel