
Të rinjtë demokratë bënë disa xheste proteste në përkrahje të kauzës së Partisë Demokratike, largimin e kryeministrit Edi Rama. Të zhurmshëm dhe entuziastë, të rinjtë demokratë qëndruan më shumë se dy orë krejt paqësorë përpara Parlamentit.
Kryetari i ri i forumit, Belind Këlliçi përdori një fjali emblematike të kryeministrit Rama për t’i treguar vendosmërinë e të rinjve demokratë.
“Nuk ke parë asgjë akoma nga forumi rinor. Të jesh i bindur se ne do të jemi këtu përballë teje, ti në xhaguarët e tu, ne në sheshe me protesta derisa të të rrëzojmë”, deklaroi Këlliçi.
Me dhjetëra të rinj zotëruan podiumin e protestës dhe mes tyre ra në sy bashkimi i garuesve për kreun e Forumit Rinor dhe kombinimi me ish-drejtuesit e forumit dhe deputetë të rinj demokratë.
Protesta e të rinjve demokratë është e fundit për këtë vit, por pauza nuk do të zgjasë shumë. Të hënën e parë të janarit, Lulzim Basha, që iu bashkua protestuesve rreth mesditës, paralajmëroi nisjen e një aksioni të ri opozitar me fokus tek antikorrupsioni.
“Se me ligj e me frymën e ligjit, në institucione dhe jashtë institucioneve do t’i bëhemi barrierë korrupsionit dhe të korruptuarve. A jemi gati t’i bëhemi barrikadë e pakalueshme korrupsionit në zyrat e kryeministrit e ministrave, apo kudo që ndodhet? A jemi gati ta kthejmë në ferr të vërtetë çdo orë e çdo ditë të çdo të korruptuari në Republikën e Shqipërisë?”, tha Basha.
Kreu i opozitës, që u peësëriti të rinjve premtimin për të anuluar ligjin e arsimit të lartë menjëherë sapo t’i besohet qeverisja e vendit, përdori një fjalor të padëgjuar më parë, kur foli për aktet që opozita do të ndërmarrë kundër qeveritarëve të korruptuar.
“Korrupsioni nuk duhet vetëm të ndëshkohet nga ligji. Prej 1 janarit qytetarët shqiptarë do ta arrestojnë korrupsionin në rrugë, sheshe e kudo. Dhe ju them se beteja jonë do të vazhdojë”, tha Basha.
Opozita beson se duke mbajtur nën presion qeverinë do të mund të realizojë qëllimin e saj për të kthyer 2016-n në vitin e zgjedhjeve të parakohshme.
Top Channel