Reforma në drejtësi, Rama-Meta: Pas Venecias, fazë të re

18/12/2015 13:35

Aleatët e koalicionit qeverisës, së bashku me Shpëtim Idrizin e PDIU-së, ministrat Tahiri dhe Manjani dhe kryetarët e grupeve parlamentare zhvilluan këtë të premte takimin e fundit për këtë vit të “Njësisë së Koordimit të Koalicionit, të cilin, siç pohoi kryeministri Rama, ia dedikuan “një bilanci të vitit në të gjitha aspektet”.

Por në deklaratën për mediat, kryeministri foli për atë që ai e cilësoi si “ecurinë e mëtejshme” të reformës në drejtësi.

“E cila tanimë kalon në një fazë të re, pas mbështetjes së hapur dhe të qartë që Komisioni i Venecias i jep kësaj reforme, si një domosdoshmëri për një ndryshim radikal. Ne jemi të bindur që është përgjegjësi në radhë të parë e kësaj shumice të votuar nga një milion shqiptarë që të çojë përpara një proces për të cilin shqiptarët nuk janë të ndarë, por janë plotësisht të bashkuar. Një proces që t’u japë shqiptarëve mundësinë që tek dyert e drejtësisë të gjejnë drejtësi dhe nga dyert e drejtësisë të mos shikojnë të dalin më si të pafajshëm njerëz që meritojnë ndëshkimin e ligjit”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, Rama e quajti miratimin e ligjit për integritetin e figurave si hedhjen e bazave për një hap të mëtejshëm në transparencën e plotë për përzgjedhjen e kujtdo që përfaqëson shqiptarët në çdo nivel.

Tani, tha Rama, vjen momenti për opozitën që në janar duhet të japë provën se ka pasur të drejtë, kur fliste për lista dhe për tufa kriminelësh, qoftë në Parlament, qoftë në nivele të tjera.

“Nuk mund të rri pa shtuar faktin që pres me padurim që me hyrjen në fuqi të ligjit të shohim se kush janë kriminelët. Në mos gabohem janë numëruar 19 të tillë nga ana e SHQUP-it dhe nga ana tjetër secili të marrë përgjegjësinë para popullit shqiptar për çdo shpifje, për çdo akuzë, për çdo kriminalizim që për interesa politike i ka bërë Parlamentit dhe i ka bërë politikës në tërësi. Megjithatë, ligji hyn menjëherë në fuqi dhe në janar kur të rimblidhet Parlamenti do të jetë momenti i të vërtetës, për të parë se sa ka pasur të vërtetë dhe sa ka qenë propaganda e mirënjohur dhe famëkeqe e baltës mbi kundërshtarin”, theksoi Rama.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Meta, i pyetur nga mediat se sa deputetë do të lënë Parlamentin pas hyrjes në fuqi të ligjit të dekriminalizimit dha këtë përgjigje:

“Kjo nuk është e rëndësishme, nuk është çështje statistikash dhe emrash. U krijua një shqetësim serioz dhe jam shumë i kënaqur që më në fund iu dha një zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, mjaft të qartë edhe parimore. Tani ne jemi të vendosur për zbatimin e ligjit dhe nuk ka rëndësi se sa emra do të penalizohen nga ky ligj. E rëndësishme është që qytetarët shqiptarë do të jenë më të qetë për integritetin e përfaqësuesve të tyre publikë, jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen, sepse ligji do t’i shërbejë edhe të ardhmes”, tha Meta.

Sa i takon reformës në drejtësi dhe rrezikut që të mos gjendet konsensusi me opozitën, Meta u shpreh: “Unë besoj se edhe përsa i takon reformës në drejtësi, mazhoranca, përse jo edhe opozita, do të dëgjojnë shqetësimin e qytetarëve shqiptarë dhe do të dinë t’i japin zgjedhje parimore dhe gjithëpërfshirëse kësaj reforme mjaft të rëndësishme, e cila na pret përpara”, tha Meta.

Top Channel