Berat, ministri Panariti në panairin e agrobiznesit

18/12/2015 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka qëndruar mbrëmjen e së premtes në qytetin e Beratit, ku është hapur panairi i agrobiznesit dhe janë prezantuar prodhimet vendase të zonës.

Përgjatë pedonales së qytetit, dhjetëra biznese prezantuan produktet e tyre, ku vendin kryesor e zinin verërat, ulliri, frutat dhe perimet e zonës. Ministri Panariti i shoqëruar nga drejtuesit e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në këtë qytet dhe pushtetarët vendorë shikoi nga afër prodhimet e prezantuara në këtë panair, ndërsa u shpreh se ato po shtohen dhe po shndërrohen në vlera duke u prezantuar denjësisht jo vetëm në tregun tonë të brendshëm, por dhe atë ndërkombëtar.

“Ndonëse qarku i Beratit në fillim të këtij viti ka pasur probleme me përmbytjen, prodhimet bujqësore në këtë qark janë dyfishuar dhe mund të themi se ky ka qenë një vit i begatë. Këtë vit janë dyfishuar eksportet e perimeve, ashtu sivc është rritur sipërfaqja e mbjellë me serra. Veç faktit që kemi pasur një vit të begatë në sasi vlen të përmendet fakti se kemi pasur dhe cilësi në prodhimet bujqësore”, tha ministri Panariti.

Duke e cilësuar si mjaft të rëndësishëm bujqësinë në rritjen e të ardhurave, ministri u shpreh se për vitin që vjen do të ketë më shumë investime dhe subvencione në këtë fushë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA