Projektligji për vendorët, Fino: Siguron decentralizimin

17/12/2015 17:15

Në emër të grupit parlamentar socialist, Bashkim Fino mbrojti projektligjin për vetëqeverisjen vendore, duke deklaruar se ai garanton një decentralizim më të thellë.

“56 është numri i funksioneve të kompetencavce për kryetarët e bashkive, nga 39 që ishin. Pra kemi një decentralizim më të thellë të pushtetit nga niveli qendror tek ai vendor”, tha Fino.

Deputeti socialist kundërshtoi akuzat e Partisë Demokratike, duke u shprehur se hartimi i projektligjit është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe pas një sërë tryezash konsultuese me publikun dhe të zgjedhurit vendorë.

“Për të konsoliduar cilësinë e një projektligji vendorë, përdoren dy standarde; së pari procedura dhe shqyrtimi dhe së dyti cilësia e përmbajtjes. Projektligji u hartua në bashkëpunim me USAID, KiE dhe OSBE. Këta mbështetën ligjin me dy ekspertë. Projektligji iu nënshtrua një procesi të gjerë publik ku u organizuan 5 tryeza rajonale me përfaqësues shoqatash të zgjedhurish vendorë”, tha Fino.

“U hoqëm rrugët rurale qarqeve sepse sot kemi njësi bashkiake që janë më të mëdha dhe nuk ka më nevojë që t’i ndërlidhë qarku”, tha ai.

Top Channel