“Top Show”, Arben Ristani flet për protestën, qeverinë teknike, zgjedhjet…

16/12/2015 00:00

Arben Ristani, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ishte i ftuar në emisionin “Top Show”, ku u diskutua në lidhje me protestën e parashikuar për ditën e enjte në Tiranë dhe jo vetëm.

Protestë e ashpër apo e qetë?

Pyetja e parë që u parashtrua në studion e “Top Show” ishte nëse protesta e së enjtes do të jetë e ashpër apo e qetë, ndërsa Ristani u përgjigj se protesta do të jetë e ndërthurur sepse ndërkohë që deputetët opozitarë do të jenë në seancë parlamentare, protestuesit do të kundërshtojnë para Parlamentit.

“Nesër do të miratohen disa ligje, midis tyre dy të rëndësishme, paketa fiskale dhe buxheti. Për të dyja këto ligje ne kemi pasur kundërshti të mëdha, që po e çojnë vendin në pikiatë. Opozita ka menduar që krahas shpjegimit të ligjeve, do të kombinohet edhe me protestën para Parlamentit. Folësit e opozitës do të flasin edhe për publikun që do të qëndrojë para Parlamentit. Ne do të zbatojmë procedurat parlamentare, por aksioni do të jetë i ndërthurur edhe me protestuesit jashtë. Aksioni do të vazhdojë me protestën e nesërme, por edhe me datën 21 dhjetor”, u shpreh Ristani.

Qeveria teknike

Ristani këmbëngul se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, por këto zgjedhje duhet të organizohen nga një qeveri teknike që duhet të pasojë këtë aktualen.

“Në themel të kontraditës që kemi me qeverinë në pushtet, ne besojmë se ata nuk mund të organizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mendojmë që vetëm një qeveri teknike mund të organizojë zgjedhje të ndershme dhe të besueshme e të pranueshme nga të gjitha palët”, tha Ristani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së gjithashtu u shpreh se zgjedhjet janë në dorën e kryeministrit, por ka edhe një rrugë tjetër.

“Nuk po kërkohet të nënshkruhen rregulla të reja, unë jam me atë që nuk ka ligje të këqija, por a janë njerëzit të gatshëm për t’i zbatuar. Në fushën e zgjedhjeve, ne kemi një nga ligjet e mira të ngarkuara me masa sigurie më tepër se në vendet e tjera për shkak te skepticizmit, po nuk është çështja këtu. Çelësi i kalimit të situatës në zgjedhje e ka kryeministri, por ekziston dhe rruga e padëshirës si ajo e Maqedonisë me një marrëveshje mes palëve dhe çon vendin në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Ristani.

Gjithashtu, përkundër faktit se në Maqedoni kishte ndikuar edhe skandali i përgjimeve, Ristani thotë se në Shqipëri ka po aq skandale, duke përmendur pasurinë e kryeministrit Rama, që duke cituar raportin e OSBE-së, thotë se shkon në 200 milionë euro.

Protestat, a mundet që opozita t’i mbledhë njerëzit në shesh?

Ristani deklaroi se shqiptarëve ju ka shkuar thika në palcë, duke përmendur edhe numrin gjithnjë në rritje të vetëvrasjeve, dhe kjo sipas tij, është e mjaftueshme për të treguar se protestat do të jenë masive.

“Ne kemi treguar që i kemi i kemi mbledhur njerëzit edhe një vit më përpara dhe qeveria pavarësisht propagandës, arriti që brenda një viti të kishte në shesh një masë të madhe njerëzish. Kjo u përsërit më 8 dhjetor dhe për herë të parë nuk kishte lojë numrash për shkak të masivitetit dhe kjo do të tregohet edhe të enjten dhe të hënën”, tha ai.

Reforma në drejtësi

Reforma në drejtësi është një tjetër temë që u diskutua në me sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani. Ky i fundit deklaroi se opozita e ka mbështetur reformën në drejtësi, por është qeveria ajo që nuk dëshiron ta çojë përpara këtë reformë.

“Reforma në drejtësi është reformë që e kemi përkrahur, kemi dhënë kontributin tonë, madje kemi rënë edhe dakord për Komisionin e përbashkët për reformën në drejtësi. Por, kjo qeveri nuk është e interesuar ta çojë përpara sepse kontrata me këta qytetarë e qeverisë ka përfunduar”, tha ai.

Ristani kujtoi edhe fjalët e ambasadorit amerikan në vendin tonë, Donald Lu, kur tha se ministrat e korruptuar dhe disa deputetë kanë frikë nga reforma në drejtësi dhe jo ish-ministrat e qeverisë së djathtë.

Sekretari i PD-së tha se nuk bëhet fjalë për një betejë mes të majtës dhe të djathtës, por kundër një bande kriminale që ka kapur shtetin shqiptar. Sipas tij, fjalët e tij nuk mund të merren propagandë, pasi vërtetohen me fakte.

Ambasadorët kundër dhunës apo opozitës?

Top Channel, duke cituar burime diplomatike, njoftoi për një takim ditën e martë ku kanë marrë pjesë disa ambasadorë mes tyre ai amerikan, ambasadori francez, anglez, gjerman, numri 1 i BE-s në Tiranë, Romana Vllahutin dhe ai i OSBE-s. Në fokus të takimit ishte shqetësimi i përbashkët në lidhje me protestën e paralajmëruar të enjten nga opozita.

Përveç kësaj, ish-kryeministri Sali Berisha reagoi me tone të ashpra ndaj ambasadorit gjerman, për shkak se pak ditë më parë ai u shpreh se ishte tronditur nga dhuna me 8 dhjetor përpara Ministrisë së Brendshme.

Por, përse janë kaq të prerë ambasadorët në lidhje me lëvizjet e fundit të opozitës?

“Demonstrime shumë më të forta, më agresive se ky i fundit i opozitës në Gjermani ndodhin rëndom. Për të mos folur për Greqinë apo vende të tjera. Edhe ne si opozitë jemi të shqetësuar për ta mbajtur revoltën popullore brenda kornizave demokratike. Askush nuk e stimulon dhunën. Por, evente të tilla ku marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz janë të vështirë për t’u menaxhuar, këtu nuk hyjnë goditjet me vezë sepse kur bëhet omletë thyhen vezët, por nuk duhet të ishte gjuajtur me gurë. Ndërsa bunkeri simbolizon se po shkojmë drejt një rruge komuniste, sepse bunkerit i paraprinë dekorimet e vrasësve të veprimtarëve shqiptarë, ndërsa i ati i kryeministrit ka qenë porositës për vrasjet e poetëve dhe njerëzve të tjerë, por djegia e bunkerit ishte e njëjtë si rënia e shtatores së Enver Hoxhës”, tha Ristani.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së deklaroi se opozita ka dhënë prova të bashkëpunimit me ambasadat e huaja, por të kundërtën e ka bërë mazhoranca dhe këtu ai ka përmendur rastin e kandidatëve për krerët e bashkive në zgjedhjet e fundit.

“Basha ka dhënë shenja të bashkëpunimit me ndërkombëtaret. Ne ofruam zgjedhje cilësore në zgjedhjet e fundit, ndërsa Edi Rama doli kundër fjalëve të ambasadorit Donald Lu dhe kandidoi kriminelë për kryetar bashkie. Prandaj, ne kemi dhënë prova të bashkëpunimit dhe do të vazhdojmë të japim prova të bashkëpunimit me ambasadat e huaja në Tiranë”, deklaroi Ristani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA