Shembet shkëmbi në aksin rrugor Elbasan- Librazhd

15/12/2015 00:00

Shpërthimi i kontrolluar është kryer mesditën e së martës ku për rreth një orë është bllokuar qarkullimi në aksin nacional Elbasan-Librazhd. Në cilësinë e kreut të emergjencave civile, prefekti Arben Kamami tha se ky është një nga akset nacionale më problematike në qarkun e Elbasanit.

“Nga studimet e bëra u mendua që ky masiv shkëmbor duhej të rrëzohej dhe e vetmja rrugë ishte me shpërthime të vogla e të kontrolluara me dinamit. U vonua kjo histori disa ditë derisa u gjetën ekspertët e licencuar dhe tranuar për shkatërrimin e këtyre shkëmbinjve”, tha Arben Kamami, Prefekti i Qarkut Elbasan.
 
Sidomos gjatë periudhës së reshjeve në këtë aks rrugor aksidentet kanë qenë të shumta, sidomos me pasoja të rënda. Shpeshherë drejtuesit e mjeteve janë aksidentuar në përpjekje për të evituar gurët në rrugë. Skanë munguar as rastet kur mjetet kanë përfunduar në lumë.

 Ende mbetet për t’u parë nëse ndërhyrja e sotme do të zgjidhi problematikën në këtë aks rrugor pasi ky nuk është i vetmi vend ku bien gurë. Situata paraqitet e tillë në pothuajse 1 km, gjatë gjithë shtrirjes së të ashtuquajturave Kthesa të Murrashit.

Top Channel