Himni i Euro 2016/ David Guetta, ftesë për fansat

12/12/2015 00:00

David Guetta është ai që do të ketë detyrën të krijojë himnin e kampionatit Evropian të futbollit të vitit 2016. 

DJ i njohur francez e ka nisur punën dhe tashmë është vënë në kërkim të 1 milionë fansave që të jenë prezentë në këtë hit të tij, që do të titullohet ‘This One’s for you’ dhe do të publikohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Artisti i njohur francez është shprehur shumë i kënaqur për bashkëpunimin me UEFA-n, për një aktivitet si Euro 2016, që për më tepër zhvillohet në vendin e tij, në Francë.

‘Jam shumë i emocionuar që po punoj për këtë projekt të UEFA-s që është në vendin tim – tha David Guetta – Euro 2016 është i lidhur ngushtë me tifozët dhe unë dua t’i vendos ata në qendër të gjithçkaje, sidomos të muzikës. Po përpiqem të bëj diçka të veçantë, duke u kërkuar fansave në mbarë botën që të festojnë këtë spektakël të futbollit, duke u bërë pjesë e këngës zyrtare të evropianit”.

David Guetta,  do të jetë figura qendrore e fushatës muzikore të UEFA-s. DJ francez përveçse do të interpretojë këngën live në ceremonitë e hapjes dhe të mbylljes së Evropianit, do të japë edhe koncert falas për fansat në qendër të Parisit, pikërisht nën kullën Eiffel.

Për më tepër, David Guetta do të organizojë edhe një lotari ku fituesit do të sigurojnë bileta për ndeshjen e hapjes së evropianit, si dhe një biletë VIP të koncertit të artistit që do tyë zhvillohet në prag të startit të këtij aktiviteti.

Top Channel