Kamatvonesat, Çela: Lehtësi për pagesat. Gjatë dimrit nuk do të ketë kufizime

04/12/2015 00:35

Për të folur për vendimin e qeverisë për të lehtësuar kamatvonesat, në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte administratori i OSHEE-së, Ardian Çela.

Ai sqaroi se nuk kemi të bëjmë me falje të kamatvonesave, por me reduktim, pasi koncepti i faljes është fshirë nga kompania. Sipas Çelës klientët duhet ta harrojnë faktin që nuk do ta paguajnë ndonjëherë energjinë e shpenzuar.

Administratori i OSHEE-së gjithashtu ka folur për nivelin e arkëtimeve, duke thënë se kompania ka tejkaluar objektivat, madje që këtë vit janë me 8 miliardë lekë (të reja) fitim.

Sa i përket investimeve, Çela deklaroi se vetëm këtë vit janë investuar 7.8 miliardë lekë, ndërsa të tjera priten në vitet në vazhdim, duke i dhënë prioritet zonave me konsumin më të madh, zonave problematike dhe zonave turistike.

Sa i përket kufizimeve gjatë muajve të dimrit, Çela u shpreh i bindur se nuk do të ketë, ndërsa nëse ka ndërprerje të energjisë thotë se ndodh për shkak të sistemit të rrjetit të amortizuar.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: Pse u mor ky vendim tani kur më parë ju dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë ishit deklaruar prerë se nuk do të kishte falje të kamatvonesave?

Ardian Çela, administrator i OSHEE: Në radhë të parë nuk ka falje, kemi bërë gjithmonë reduktim, pra koncepti i faljes është fshirë njëherë e përgjithmonë dhe e ritheksoj se falje nuk ka asnjëherë. Do të ketë reduktime për ata abonentë dhe ata klientë të cilët i përgjigjen thirrjes të qeverisë dhe kompanisë për kthimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Gjatë aksionit që kemi ndërmarrë gjatë këtij viti, ne kemi pasur dhe vazhdojë të kemi moton tonë që t’i japim fund kaosit dhe shkeljes së ligjshmërisë, vjedhjes, humbjeve dhe gjithçka tjetër që ka mbizotëruar në sistemin e Operatorit të Shpërndarjes.

Pandi Gjata: Kthehemi te vendimi…

Ardian Çela: Ne vazhdojë t’ua bëjmë të qartë se qëllimi final është që furnizimin me energji elektrike do ta kenë ata abonentë të cilët paguajnë rregullisht. Kemi nisur në dhjetor të 2014-s aplikimin e disa skemave lehtësuese të cilat u shtrinë deri në mars 2015 ku parashikoheshin edhe familjarët me ndihmë ekonomike. Për ta ofrohet skema 1000 lekë në muaj duke pasur parasysh vështirësitë dhe të ardhurat e pakta që kanë. Kësaj thirrje gjatë vitit, sepse nuk e ndërpremë skemën pavarësisht se pas marsit nuk ishte kaq lehtësuese sa ishte në fillim, në total iu përgjigjen rreth 26 mijë familje të cilat bëjnë pjesë në kategorinë e ndihmës ekonomike dhe të cilët nënshkruan këtë marrëveshje. Duke pasur parasysh se këta nuk e patën asnjëherë mundësinë, për shkak të ardhurave, të kishin mundësinë e reduktimit të kamatvonesës ajo pjesë tjetër e abonentëve që bënë marrëveshje me 2500 lekë në muaj ose kush paguante të gjithë detyrimin reduktoheshin 80% kamatvonesa dhe këtë shumë e kanë fituar jo pak, por 200 mijë familje shuma e të cilës shkon 40 milionë dollarë. Atëherë kompania pasi bëri një analizë të fakteve konstatoi që 22 mijë abonentë që kishin nënshkruar marrëveshjen gjatë kësaj periudhe  iu kishin qëndruar afateve të pagesës, jo vetëm të kësteve mujore, por edhe faturës koherente dhe duke qenë se qëllimi i kompanisë është që jo vetëm të mbledh borxhet por të rrisë të ardhurat edhe nga faturat koherente ose asaj që shpenzohet aktualisht…

Pandi Gjata: Pse se bëtë një vit përpara? Mund të kishit lehtësuar koston sociale për këto familje.

Ardian Çela: Atë po shpjegoj sepse një vit përpara ne nuk mund të dinim se kush ishte i rregullt dhe kush jo. Sot ne kemi 22 mijë familje të cilët gjatë këtij viti kanë qenë shumë të rregullt me pagesat e faturës koherente të energjisë dhe për këta kompania ofron reduktimin e kamatvonesës për një shumë simbolike 100 lekë. Problemi është që edhe për ta bërë këtë ata duhet të vijnë të paraqiten pranë zyrave dhe sporteleve të kompanisë edhe pse ne jemi në fazën e përditësimit të të dhënave të abonentëve që kemi sepse kemi trashëguar një sistem kaotik faturash dhe kemi një kosto për të bërë këtë sistem faturash dhe kemi afatin deri më 31.12.2016 për ta pastruar. Prandaj për këtë ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të bëjnë këtë deklarimin personal të të dhënave, të bëjnë edhe mbylljen e këstit dhe ata janë të çliruar nga kamatvonesat. Dua të sqaroj, kjo nuk është vetëm për këtë kategori, pasi edhe në ditët në vazhdim do të vëreni se kompania do të ofrojë edhe produkte të tjera siç kemi ofruar deri më tani dhe ne sot ofrojmë një tjetër skemë që nëse pranojnë brenda 6-muajsh të paguajnë debinë e vjetër i reduktohet kamatvonesa me 70%. Në rast se ne në fillim të vitit nuk ofruam skemë lehtësuese për biznesin, ne më 1 mars në nxorëm një skemë të tillë për biznesin të cilën ne e kemi rishikuar në fillim të tetorit dhe kemi ofruar një tjetër skemë lehtësuese për biznesin, pra kompania asnjëherë nuk mund të jetë e ngurtë që mori një vendim dhe nuk mund të ndryshohet, por duke parë rezultatin e të ardhurave, ecurinë e konsumit, kompania gjithmonë është fleksibël për të ofruar paketa sa më të favorshme edhe për qytetarët dhe për kompaninë.

Pandi Gjata: A mendoni se kjo riciklon bindjen se mund të mos paguash sërish dhe mund të të falen?

Ardian Çela: Po e theksoj edhe njëherë që nuk ka falje dhe duhet të fshihet kjo fjalë nga fjalori sepse nuk do të ketë asnjëherë falje. Ne kemi bërë reduktim të kamatvonesave, atë që ata familjarë e kanë konsumuar ta harrojnë që nuk do ta paguajnë. Borxhet do të paguhen sepse kompania ka paguar për atë energji që ka ofruar, ka debi ndaj KESH-it ose operatorëve të tjerë, prandaj është e paimagjinueshme që të bëjmë falje për diçka që është konsumuar.
 
Pandi Gjata: Si është ecuria e arkëtimeve në shkallë vendi në këtë fundvit dhe a mund të na a krahasoni me periudhat e mëparshme?

Ardian Çela: Niveli i arkëtimeve nga data 1 janar deri sot (dje) në ora 16:00 është tek rreth 61 miliardë lekë, në një kohë kur viti 2014 u mbyll me 49 miliardë lekë apo viti 2013 39 miliardë lekë arkëtime, pra vëreni vet diferencën. Në qoftë se flaim edhe me përqindje në nivel total arkëtimesh ne jemi sot 95-98% dhe vërejmë se abonenti familjar i është përgjigjur mjaft mirë skemës për rikthimin e ligjshmërisë për shpërndarjen e energjisë elektrike. Në qoftë se ka qenë në nivelet 60-67% sot abonenti familjar është afër 92%. Po kështu edhe bizneset janë në nivelin e 95-97% , pra niveli i arkëtimeve këtë vit është rritur dhe është tejkaluar objektivi ynë të cilin e kishim vendosur për 2015-n. Për vitin 2016, duke qenë se kemi një plan 4-vjeçar për me objektiva të mirë caktuara për nivelin e humbjeve, arkëtimeve, investimeve…

Pandi Gjata: Kjo që po thoni ju ka shëndoshur financiarisht kompaninë, si është plani i investimeve?

Ardian Çela: Para planit të investimeve dua të them që kompania për herë të parë, dhe nëse ne kishim parashikuar të frenonim humbjet për këtë vit dhe vitin e ardhshëm të ishim në nivelin zero dhe për të hyrë në 2017-n dhe 2018-n më bilanc pozitiv, ne që këtë vit jemi me bilanc pozitiv. Si 10-mujor ne jemi 8 miliardë lekë të reja fitim.

Pandi Gjata: Kur do të jetë i prekshëm nga qytetarët plani juaj i investimeve?

Ardian Çela: Investimet kanë nisur dhe investimet e para kanë përfunduar ose do të përfundon gjatë këtij muaji dhe do të hyjnë në funksion, problemi është që investimet në energjitike kanë një cikël që të kthejnë fedbekun dhe cikli është 4-vjeçar. Për të mos trembur qytetarët nuk është se po them që ne po investojmë tani dhe do ta ndjejnë pas 4-vitesh, absolutisht jo. Ne kemi kontraktuar vetëm për këtë vit investime në rrjet 4.1 miliardë të reja, plus investime të tjera në materiale që janë rreth 3.7 miliardë, që në total vetëm për këtë vit kemi kontraktuar 7.8 miliardë lekë investime. Me fjalë të përgjithshme, këto investime janë bërë në zonat ku kemi konsumin më të madh të energjisë sepse aty ku kemi konsumin më të madh kemi edhe nivelin më të madh të humbjeve, por gjithashtu edhe në zonat problematike që kanë cilësi të dobët furnizimi dhe sigurisht zonat turistike siç janë jugu i Shqipërisë, plazhi i Durrësit dhe Golemit, ndërsa brenda janarit fillojnë në zonën e Shëngjinit dhe të Velipojës.

Pandi Gjata: Pyetja që kanë të gjithë është nëse do të përballojë ky rrjet i amortizuar ngarkesën e dimrit dhe do të kemi drita apo do të përballemi me ndërprerje?

Ardian Çela: Është e vërtetë që konsumi në dimër është më i lartë sesa periudha shtator-tetor sepse muajt korrik-gusht krahasohet ndonjëherë me periudhën janar-shkurt, bazuar në të dhëna konsumi gjatë muajve të verës ka qenë i njëjtë sikurse gjatë muajve të dimrit. Nuk dua të përsëris faktin se ne kemi një rrjet të amortizuar, por ne kemi marrë masat tona me atë çfarë mund t’ju përgjigjemi me këtë lloj sistemi, pra kemi ngritur grupe të gatishmërisë, grupe të remontit në tensione të larta dhe të mesme, kemi ngritur në drejtorinë qendrore grupin qendror që koordinon të gjithë grupet e tjera të gatishmërisë që janë ngritur në drejtoritë rajonale dhe është bërë furnizimi me bazën materiale dhe mjete të nevojshme në pajisje. Në total, në nivel vendi, në grupe gatishmërie janë 1800 persona si inxhinierë, elektricistë etj. dhe po të kemi parasysh kohën e keqe që kaluam para disa javësh ku vërtetë ne nuk mund të themi që moti i keq nuk mund të shkaktojë dëme sepse janë të pashmangshme, por ajo që kemi ne kemi për detyrë është që të riparojmë dëmet dhe t’i bëjmë funksionale.

Pandi Gjata: Pra, pavarësisht defekteve apo ngjarjeve të paparashikuara kufizime nuk do të ketë?

Ardian Çela: Kufizime nuk bëhet fjalë sepse nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Ato raste kur kemi ndërprerje të energjisë qytetarët duhet të jenë të bindur që flitet për dëme nga kushte atmosferike. Ky është sistemi që kemi, jemi duke investuar dhe duhet të na mirëkuptojnë. Edhe kjo kërkon kohën e vet sepse i gjithë investimi në rrjet kërkon 1.7 miliardë euro të llogaritura e të cilat kërkojnë 3-4 vjet të investohen. Paratë do të dalin nga këto të ardhura që po rriten dhe ne çdo ditë po e demonstrojmë me investimet që po bëjmë në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm investime në rrjet. Ne e kemi nisur që këtë vit, por në 2016-n do të ketë prioritet reformimi total i marrëdhënies së shoqërisë me klientin, pra është një nga “thembrat e Akilit” që çalon në këtë shoqëri dhe ne po e referojmë, madje e keni parë se jo më larg se sot kemi inauguruar qendrat elektronike të informimit në qytetin e Tiranës dhe që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë ku kanalet alternative, komunikimet e qytetarit me kompaninë do të jenë të shumëllojshme dhe do të rrisin transparencën në mënyrë maksimale që edhe ne ta kuptojmë se ku i kemi defektet tona.

Top Channel