Presidenti Bujar Nishani, gjatë qëndrimit në Paris në kuadër të samitit të Klimës, ka bërë homazhe në bulevardin “Volter”, në nder të viktimave të sulmeve terroriste të 13 nëntorit në teatrin Bataclan.
I shoqëruar nga bashkëshortja, delegacioni shqiptar dhe autoritete vendore të kryeqytetit francez, Nishani ka vendosur buqeta me lule dhe ka mbajtur një minutë heshtje në nder të atyre që humbën jetën.
“Shfrytëzuam rastin për të qenë të pranishëm këtu ku akti barbar tregoi se jo vetëm Parisi, jo vetëm Franca, por mbarë bota është solidare me këtë vend, të gatshëm për të reaguar në mënyrë të përbashkët ndaj këtyre krimeve makabre dhe për të treguar se liria është mbi gjithçka dhe se bota e qytetëruar nuk do të mundet dhe nuk do të dorëzohet përpara asnjë akti, asnjë grupi dhe asnjë veprimi që synon të thyejë civilizimin, të ndryshojë mënyrën e jetesës sonë, e cila funksionon mbi bazën e lirisë. Liria do të mbetet gjithmonë e shenjtë dhe padyshim bota e civilizuar do të shkojë gjithmonë e më përpara. Nderim të përjetshëm kujtimit të atyre viktimave, të cilët e jetonin jetën e tyre në lirë, e jetonin jetën e tyre ashti siç e dëshironin dhe besoj se Franca, Parisi dhe e gjithë bota e civilizuar do të vazhdojë ta jetojë jetën në liri dhe në civilizim të plotë”, deklaroi Nishani.
Top Channel