John Newman performon në Tiranë

29/11/2015 00:00

Ashtu siç pritej, artisti i njohur britanik John Newman ka mbërritur në Tiranë për të performuar përpara publikut shqiptar. 25-vjeçari që kryeson top listat britanike, pak përpara se të këndonte “Love me again”, apo hite të tjera në sheshin “Skënderbej”, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Top Channel.

“Përshëndetje Shqipëri! Është hera ime e parë këtu dhe mendoj se do të vij sërish. Është shumë emocionuese të jesh në Tiranë, gjithnjë e kam parë si një vend të ngrohtë. Të gjithë sillen shumë mirë. Nga publiku shqiptar pres të jetë i çmendur, t’ia kalojmë mirë dhe do përpiqem të jap në skenë 110 përqind nga vetja ime”, tha ai.

Sa për projektet muzikore, Newman thotë se po punon për albumin e tij të tretë, përmes të cilit pret një sukses edhe më të madh.

“Dështova të bëhem mekanik. Po punoj për albumin e radhës. Jam në kërkim të përsosmërisë. Dua që albumi im i tretë të jetë më i miri. Kam mësuar shumë nga albumi im i dytë, pashë tek ai çfarë shkoi dhe ku gabova, ndaj dua shumë që muzika që do të bëj nesër të jetë edhe më e mirë”, vazhdoi Newman.

Newman, u ftua nga Bashkia e Tiranës për të performuar në koncertin e Natës së Bardhë, traditë që është rikthyer me një sërë aktivitetesh në kryeqytetin shqiptar. Në kuadër të festave të nëntorit, ai përshëndet shqiptarët duke provuar të bëjë shqiponjën me duar.

Intervistën e zgjeruar të John Newman, ju ftojmë ta ndiqni ditën e hënë në programin e mëngjesit “Wake Up”, dhe në “Select”.

Top Channel