Arbitrazhi ndaj “Bankers”, reagon Avokatura e Shtetit

24/11/2015 00:00

Pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, që e cilësonte si të paligjshëm sekuestron e lëshuar nga Drejtoria e Tatimeve kundrejt llogarive bankae të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”, ka ardhur edhe reagimi i Avokaturës së Shtetit.

Në një komunikatë për mediat, Avokatura e Shtetit pranon se është njoftuar për urdhrin e përkohshëm të trupës së gjykimit në Arbitrazh, sa i përket çështjes së “Bankers Petroleum Albania Ltd” kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si dhe po e shqyrtojnë atë.

Në gjykimin në Arbitrazh, MEI është përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe shoqëria “Albpetrol sh.a.”.

Më tej, në deklaratë thuhet se institucionet përgjegjëse shqiptare dhe “Albpetrol sh.a.” do të marrin të gjitha masat për mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të ligjshme të shtetit shqiptar në çdo forum gjykimi.

Vetëm një ditë më parë, Top Channel mësoi se Gjykata e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë lëshoi një urdhërndalimi, i cili detyron Tatimet të zhbllokojnë menjëherë llogaritë e kompanisë kanadeze. Gjithashtu, urdhri ndalon deri në një vendim të dytë, që Tatimet të mbledhin me forcë detyrimin e pretenduar prej 75 milionë dollarësh nga “Bankers”.

Zanafilla e konfliktit mes kompanisë kanadeze dhe Drejtorisë së Tatimeve është një raport i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Top Channel