Javën e shkuar Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me votat e shumicës ndarjen e Tiranës në 3 zona për parkimin si edhe tarifat përkatëse. Por, si do te funksionojë kjo skemë?
Në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte e ftuar këshilltarja e kryebashkiakut Erion Veliaj, Eglantina Zëre, e cila edhe sqaroi ndarjen e re të zonave të parkimit.
Sipas saj, banorët e Tiranës, apo rezidentët siç i janë referuar, do të përfitojnë shumë përmes këtij sistemi. Ajo tha se përpos hapësirave në zonën ku jetojnë, banorët do të kenë hapësira edhe përgjatë rrugëve kryesore kundrejt një pagese.
Zëre tha se tarifat janë përcaktuar në bazë të një vendimi të Këshillit Bashkiak të Tiranës të vitit 2003, duke mos marrë parasysh faktin se për 12 vite gjendja socio-ekonomike e vendit ka ndryshuar.
Intervista e plotë
Pandi Gjata: Doja të nisnim bisedën duke shpjeguar vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, pra se si ndahen zonat e parkingjeve dhe zonat e tarifimit. Çfarë përmban ky vendim?
Eglantina Zëre, këshilltare e kryebashkiakut Erion Veliaj: Bashkia e Tiranës ka marrë për të krijuar për herë të parë agjencinë e cila do të merret me administrimin e hapësirave publike të destinuara për parkim për qytetin e Tiranës. “Tirana Parking” si agjenci nën varësinë e Bashkisë së Tiranës, do të merret me administrimin dhe menaxhimin e gjithçkaje. Ajo çfarë është për t’u ritheksuar është ndarja dhe zgjerimi i Tiranës që nënkupton se Tirana ndahet në katër zona të parkimit me pagesë. Ndarja në katër zona përveç se sjell një mirë administrim, sjellë dhe një favor dhe një mundësi akoma edhe më të madhe që ju jepet banorëve të këtyre zonave, ose siç jemi mësuar t’ju referohemi si rezidentët. Nëse sipas ndarjes së parë të koncensionit ofroheshin 23 zona për parkim nënkuptonte që një banor ose rezident, kishte të drejtë të parkonte pa pagesë në 1/23 e gjithë hapësirës së qytetit të Tiranës. Ndarja e reja nënkupton një zgjerim dhe dhënie të një mundësie më të madhe për të parkuar në hapësirat e Tiranës.
Pandi Gjata: Përpos kësaj ndarje në katër zona, kemi edhe ndarjen sipas tarifave. Çfarë logjike u përdor për të vendosur këto tarifa?
Eglantina Zëre: Në lidhje me ndarjen e zonave të tarifimit, më lejoni të them që ne i jemi përmbajtur vendimit të Këshillit Bashkiak të miratuar në shkurt 2003, vendim i cili përcaktonte edhe ndarjen e zonave të tarifimit dhe tarifat përkatëse. Bashkia e Tiranës vendosi që për favor të qytetarëve të Tiranës dhe pa marrë në konsideratë se në 12 vite gjendja socio-ekonomike e çdo vendi ndryshon, të aplikojë të njëjtat tarifa për parkim në rrugët kryesore të Tiranës.
Pandi Gjata: Kjo do të thotë që nuk ka çmime më të larta sepse kjo çështje është diskutuar shumë gjatë këtyre ditëve.
Eglantina Zëre: Jo se nuk ka rritje çmimesh, por mund të them se ka çmime favorizuese për qytetarët e Tiranës.
Pandi Gjata: Kur përmendni termin “zonë e tarifimit” e keni fjalën për rrugët kryesore, dytësore apo ato që mund të quhen tretësore, siç mund të jenë zonat më të ngushta. Pra, si do të ndahen zonat që janë me pagesë nga ato që janë pa pagesë?
Eglantina Zëre: Ndarja e Tiranës në katër zona nënkupton përfshirjen e rrugëve kryesore dhe atyre dytësore. Ndarja në katër zona të administrimit të parkimit në vetvete përfshin 24 mijë vende parkimi. E ndarë kjo sipas zonave 1, 2, 3, 4, mund të them që secila nga këto zona disponon një numër të caktuar vendparkimesh. Të marrim për shembull zonën 1 ose kryesore: Kjo zonë ka një kapacitet prej 3060 vende për parkim nga të cilat 1927 vende do t’i nënshtrohen tarifimit dhe 1123 vende do të jenë pa pagesë. Nëse i përkthejmë në përqindje, 63% e tyre do të jenë me pagesë dhe 37% do të jenë pa pagesë që përfshin rezidentët apo njerëzit me aftësi të kufizuara.
Pandi Gjata: Është bërë ndonjë studim për këtë ndarje, se sa mjete ka në një zonë, se sa janë ato të barabarta me vendet e parkimit, etj?
Eglantina Zëre: Patjetër që po. Në varësi të këtyre është bërë edhe ndarja përqindja e trajtimit të secilës në këtë rrugë. Nëse themi që në zonën A, 63% të kapacitetit të plotë të vendparkimeve do të trajtohet me pagesë dhe 37% do të trajtohet pa pagesë, një zonë tjetër që mund të jetë 2 ose 3, ndryshon në përqindje dhe kjo në varësi të dendësisë që ka edhe zona. Në varësie dhe të rrugëve dhe hapësirës që ajo ofron për parkim pa pagesë për rezidentët. Për shembull, zona 2 që ka 1953 vende parkimi, 53%-54% do t’i nënshtrohen tarifimit, ndërsa pjesa tjetër do të jetë pa pagesë.
Pandi Gjata: Problemi i madh i parkimit sot në Tiranë janë edhe rrugët kryesore, këto të gjitha do të jenë në segmentin e tyre parkingje me pagesë?
Eglantina Zëre: Më lejoni të theksoj diçka, duke nisur gjithmonë nga vetja sa herë dal në mëngjes, pyetja e parë që na lind është ku do parkoj. Prandaj, kjo ndarje nënkupton që çdo qytetar që është posedues i një mjeti motorik, përveçse hapësirave në zonën e vet, pra rrugicat brenda lagjes apo hapësirat poshtë pallatit, do jepet edhe hapësira në rrugët kryesore që do të jenë të përcaktuara me plan tarifor. Ta marrim një rast konkret: Nëse unë banoj në zonën A dhe një nga rrugët kryesore të zonës sime mund të jetë rruga “Myslym Shyri” , unë si rezidente e kësaj zone gëzoj të drejtën për të parkuar falas në të gjitha hapësirat brenda zonës sime si dhe përpos kësaj, gëzoj të drejtën që me një përqindje të caktuar të kësaj rruge, 305, 40%, aq sa është e përcaktuar, kam të drejtën të parkoj pa pagesë. Pra, dyfish hapësirë, edhe brenda zonave të parkimit, edhe në rrugët kryesore që janë të destinuara për parking me tarifë.
Pandi Gjata: Ky projekt do të implementohet menjëherë i gjithi apo do të nisë si një projektpilot?
Eglantina Zëre: janë disa mini-projekte të vogla që përmban e gjithë ky administrim i ri. E para janë rrugët kryesore të cilat janë të përcaktuara që me vendim të 2003-ës, pra rrugët kryesore me tarifa të përcaktuara zona A 100 lekë për orë, zona B 40 lekë për orë dhe zona C 20 lekë për orë ato janë edhe aktualisht në funksion. Edhe nëse do të dalim tani në bulevardin kryesor do të shohim se ka inspektorë të parkimit të cilët presin bileta me 1000 lekë (të vjetra) ora dhe po e njëjta gjë do të vazhdojë.
Pandi Gjata: Ndoshta në këtë zonë funksionon, po ka edhe zona ku nuk funksionojnë se vendosin karrige ose ndonjë gjë tjetër.
Eglantina Zëre: Kjo është bërë për pamundësi të menaxhimit të plotë të gjithë këtyre zonave, pasi deri më tani, parkingu ka qenë vetëm një sektor nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave, një sektor i përbërë nga 8 inspektorë dhe 1 përgjegjës sektori, pra ka qenë i pamundur menaxhimi, për të mos thënë edhe një keqadministrim.
Pandi Gjata: Në gjithë këtë operacion do të hapen edhe shumë vende pune, pasi do të menaxhohen të gjitha parkingjet në Tiranë apo jo?
Eglantina Zëre: Patjetër që po. Të bësh një menaxhim të tillë kërkon fuqi punëtore, kërkon përkushtim, profesionalizëm, kështu që ne fazat e para struktura që do të ketë agjencia që do të merret me menaxhimin e parkingjeve në Tiranë do të ketë 105 punonjës që përkthehen ne vende pune.
Pandi Gjata: Çfarë ndodh me ato parkingje private që janë sot në çdo lagje, në çdo pjesë të Tiranës, do të ekzistojnë edhe ato?
Eglantina Zëre: Edhe kjo është një nga çështjet që do të administroje “Tirana Parking”. Sot siç jemi mësuar shumë hapësira private janë shndërruar në parkingje private. Një person i cili është regjistruar në Tatim-Taksat vendore, ka hapur një NIPT, qoftë si person fizik apo juridik, ai ka ushtruar aktivitetin si parking privat. Në të ardhmen patjetër që do të ketë mundësi të kesh parkingje private, por do t’i nënshtrohen licencimit. Pra nëse ju keni një pronë private dhe doni ta shfrytëzoni për parking privat ju duhet të plotësoni kriteret dhe kushtet sipas standardeve të kërkuara nga agjencia që administron parkingjet në Tiranë. Nëse do të plotësohen kushtet dhe standardet, patjetër që do t’i jepet e drejta e ushtrimit të aktivitetit, pra do të licencohet për ushtrim aktiviteti.
Pandi Gjata: I kthehemi edhe njëherë çmimeve për parkingjet dhe ndarjet e zonave të tarifimit. Ku u bazuat për të vendosur këto çmime?
Eglantina Zëre: Tarifat për rrugët kryesore janë ato që janë vënë që në 2013-shin. Ana pozitive e kësaj është koncepti i shesheve. Besoj se e keni parë që sheshi “Italia” është kthyer në një parking publik të mbyllur. Ajo rrugë ka qenë në administrim që vite më përpara, por është keqadministruar dhe të ardhurat që sillte ajo kanë qenë fare të papërfillshme. Ne e morëm dhe i dhamë një fytyrë të re, një tjetër dimension atij sheshi duke iu ofruar qytetarëve 118 vende parkimi. Një parking me standarde bashkëkohore, duke ofruar për qytetarët siguri, pasi çdo gjë është nën survejimin e kamerave. Kemi ofruar dixhitalizimin e sistemit që do të thotë se drejtuesi shkon të bankomati pret biletën dhe kryen pagesën në fund fare si dhe merr kuponin tatimor.
Pandi Gjata: Do të ketë parkingje të njëjta si kjo te sheshi “Italia”?
Eglantina Zëre: Sheshi “Italia” ka treguar një impakt super pozitiv për qytetarët e Tiranës. Doja të shpjegoja filozofinë e atij sheshi, pra pse “Tirana parking” ose Bashkia e Tiranës krijon sheshet e parkingjeve publike. Sipas ndarjes së zonave të tarifimit, një orë në rrugët kryesore është 100 lekë. Një shesh si ai “Italia” që ne e quajmë eko-parking i bën më mirë llogaritë për konsumatorin. Nëse unë dal sot në mëngjes për të kryer shërbime për veten time të cilat nuk e kalojnë një orarëshin e kohës sime, patjetër që kam mundësi të parkoj në rrugët kryesore përkundrejt tarifimit 100 lekë ora, flas gjithmonë për zonën A. Në momentin që planet e mija të ditës i tejkalojnë një orëshin, atëherë ne ofrojmë parking për një kohë më të gjatë, në rastin konkret eko-parkingu te sheshi “Italia” ku tarifat janë për 0-3 orë 200 lekë që do të thotë se është 67 lekë ora. Pra, tregon se ora është më lirë se në rrugët kryesore dhe është shumë favorizuese për qytetarët.
Pandi Gjata: Me një batutë, kur e prisni që të ketë një efekt për qytetarët e Tiranës ky sistem i ri i ndarjes së zonave të parkingjeve dhe atyre të tarifave. Sa kohë do të dojë nga nisja e zbatimit?
Eglantina Zëre: Ne aktualisht mund të themi që çdo gjë po ecën me hapin e kohës dhe do të mundohemi shumë shpejtë që t’i vejmë në zbatim për qytetarët e Tiranës të gjitha këto që thamë.
Top Channel