Një akt i paparecedentë terrorizmi. Kështu janë cilësuar sulmet që goditën Francën, në zemër të saj, mbrëmjen e së premtes. Autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe mbyllën kufijtë pas disa shpërthimeve dhe sulmeve me armë në Paris, që shkaktuan të paktën 153 viktima e qindra të plagosur.
80 vetë u vranë pasi përsona të armatosur hynë në një salle ku po mbahej koncerti i njohur si Bataclan duke marrë peng, dhjetëra njerëz. Tmerri përfundoi pasi forcat e sigurisë hynë në godinë…Persona të tjerë u vranë në sulme me armë zjarri në lokale dhe restorante rreth Parisit. Siç raportohet 8 agresorët janë vrarë, por është ende e paqartë nëse ka të tjerë në arrati, pas 6 sulmeve të koordinuara.
Banorëve të Parisit u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe rreth 1500 ushtarë jane mobilizuar nëpër qytet. Motivet e sulmi nuk janë konfirmuar por dyshimet bien mbi ISIS. Sipas një dëshmitare në koncertin e Bataclan, një prej agresoreve shprehu mbështetjen e tij për grupin e shtetit islamik.
“Është faji i Holond, ai nuk duhej të kishte ndërhyrë në Siri”-mësohet të ketë thënë ai, sipas Agjencise Franceze të Lajmeve AFP, duke iu referuar vendimit të Presidentit për t’iu bashkuar sulmeve ajrore kundër ISIS. Sulmi më i rëndë i së premtes ishte ai që ndodhi në ambientin ku po mbahej koncerti, e ku ishin të pranishëm rreth 1500 persona.
Persona të armatosur hapën zjarr kundër spektatorëve që po ndiqnin performancën e grupit amerikan të muzikës rok, Eagles of Death Metal…Sulme të tjera u shënuan në zemër të Parisit, pranë “Place de la Republique” dhe “Place de la Bastille” kur kafenetë, lokalet dhe restorantet ishin mjaft të populluara.
Një tjetër shënjestër ishte “Stad de France”, në pjesën veriore të Parisit, ku presidenti Holond dhe 80 mijë spektatorë po ndiqnin ndeshjen miqësore mes Francës dhe Gjermanisë. Jashtë stadiumit pati dy shpërthime. Presidenti francez, u shoqërua nga forcat e sigurisë pas shpërthimit të parë dhe organizoi menjëherë një mbledhje të jashtëzakonshme.
Në zonë u vranë tre agresorë. U desh pak për të kuptuar dimensionet e vërteta të tmerrit që përfshiu Parisin, dhe presidenti Holond u shfaq në televizion për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për herë të parë që prej 2005. Një vendim i tillë autorizon mbylljen e vendeve publike dhe parashikon vendosjen e shtetrrethimit dhe kufizime në lëvizjen e automjeteve dhe njerëzve. Tragjedia ndodh në një kohë kur Parisi ende nuk ka marrë veten nga sulmet terroriste të muajit janar, kur persona të armatosur vranë 18 persona , shumica e të cilëve pjestarë të stafit të revistës franceze “Charlie Hebdo”.
Top Channel