Hahn: Presim reformën në drejtësi. Negociatat, mundësi në 2016-n

10/11/2015 00:00

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn deklaroi në një intervistë për Top Channel se, mundësitë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE janë vitin e ardhshëm.

Ai tha se, gjatë muajve të fundit ka pasur progres, ndërsa theksoi se ka ende punë për të bërë. Ai vlerëson faktin, që Komisioni i Venecias do të shprehet për reformën në drejtësi, ndërsa miratimin e një ligji për dekriminalizimin e konsideron një kontribut shtesë.

TCH: Komisioner, kur do të jetë në gjendje Komisioni Europian të rekomandojë një datë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë?

Johannes Hahn: Nëse vështroni gjurmët e provave të Shqipërisë, gjatë muajve të fundit ka pasur progres, një progres të dukshëm, që dëshmohet nga raporti dhe që është mirë. Ka ende punë për t’u bërë, por unë mendoj se përgjithësisht ekziston një perspektivë e mirë për këtë vitin e ardhshëm.

TCH: A janë konsultuar institucionet e BE-së për draftin e reformës në drejtësi dhe, cili është mendimi juaj për dekriminalizimin? A ndani shqetësimin e opozitës për këtë proces, sikundër për rritjen e numrit të azilkërkuesve?

Johannes Hahn: Për i takon gjyqësorit, unë isha në kontakt kryesisht me kryeministrin, por mendoj se ishte vendim i mirë, që drafti iu përcoll për mendim Komisionit të Venecias dhe tani duhet të presim për të. Mendoj se është mirë që i drejtoheni një organi të tillë të pavarur dhe me tepër përvojë për të marrë opinionin e tij. Përsa i takon dekriminalizimit, unë mendoj se është i rëndësishëm. Kur isha në Parlamentin Europian, kuptova nga zoti Fleckenstein se duhet të ketë një ligj në ditët që vijnë mbi dekriminalizimin, çfarë përbën një kontribut shtesë për rrugën drejt Europës. Azilkërkuesit janë me të vërtetë një çështje, që duhet të trajtohet nga autoritetet, sepse numri është rritur në mënyrë domethënëse. Prandaj duhet trajtuar siç duhet, për të mos vënë në rrezik asgjë. Mënyra më e mirë e trajtimit, unë mendoj se do të ishte duke përmirësuar kushtet e jetesës brenda vendit, duke trajtuar situatën ekonomike, duke u përpjekur për të qenë më tërheqës për ne, si dhe për të pasur më shumë investime të huaja në vend. Por edhe për qytetarët shqiptarë, që përpiqen të investojnë për të ardhmen e tyre aty. Kjo mendoj se është mundësia më e mirë, sepse supozoj se shumica e azilkërkuesve që largohen, janë njerëz që nuk kanë një perspektivë ekonomike në Shqipëri. Prandaj mendoj se, po ta ndryshojmë këtë, do të jetë mënyra më e mirë për të ecur përpara.

TCH: Dëgjojmë të flitet më shumë për procesin e Berlinit sesa mbi zgjerimin. A është Shqipëria në rrugën e duhur, përsa u takon reformave  të debatuara mbi ekonominë dhe energjinë?

Johannes Hahn: Me aq sa unë shoh dhe mund të vlerësoj, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel